Krasniqi: Bisedimet nuk paskan qenë thjesht teknike

Kështu ka vlerësuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një konferencë për media të hënën, me ç’rast u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me paralajmërimet për futjen e veriut të Mitrovicës si pjesë të bisedimeve që po zhvillohen në mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk është i informuar që bashkësia ndërkombëtare të ketë kërkuar futjen e veriut si pjesë politike të bisedimeve.
“Unë edhe njëherë po e deklaroj se nuk kam asnjë informacion dhe asnjë kërkesë nga asnjë faktor ndërkombëtar për të biseduar për atë çështje, por një gjë dua ta them, raportet e Kosovës me Serbinë janë raporte të nivelit nacional dhe unë mendoj se duhet të respektohet kjo formë e këtij niveli dhe këto bisedime duhet të vlerësohen si të tilla dhe duhet të jetë i kyçur i gjithë spektri politik i Kosovës”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se çështja e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë është e përcaktuar edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si dhe në rezolutën që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, ata që i kanë tejkaluar këta kufij, përgjegjësia bie mbi ata që i kanë hyrë kësaj çështjeje pa pasur përgjegjësi.
“Tash nuk duhet të japë vlerësime se çfarë janë këto bisedime. Ne e dimë që këto bisedime janë zhvilluar mbi bazën e një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka qenë kërkesa për të biseduar për çështje teknike dhe për çështje të lehtësimit të qytetarëve të Kosovës dhe nëse tejkalohen këto që janë precizuar edhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme edhe në rezolutën e Kuvendit, mendoj se përgjegjësia është e atyre që janë futur në një çështje që s’ka qenë përgjegjësi e tyre”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbin, në mënyrë që ajo të sillet konform marrëveshjeve të arritura, e mbi të gjitha, të sillet edhe konform rezolutës 1244, e cila i heq të gjitha përgjegjësitë e Serbisë mbi çdo pjesë të territorit të Kosovës.
Ai gjithashtu ka thënë se Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka të qartë se çka është duke u biseduar në bisedimet me Serbinë dhe pret që Qeveria me një raport më të detajuar ta informojë Kuvendit./Kosovapress/