Krasniqi: GND-ja, mbështetje proceseve në Kosovë

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Grupi Drejtues Ndërkombëtar i ka dhënë mbështetje Kosovës për të gjitha proceset dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet.
"Ne besojmë se qeveria e Kosovës, nga ajo që u tha, ka marrë mbështetje të fuqishme për të gjitha angazhimet e veta në drejtim të realizimit të objektivave që dalin nga raporti i progresit të vitit 2009, zhvillimet në drejtim të liberalizimit të vizave, pastaj të marrëdhënieve tregtare me BE-në, si dhe është diskutuar për strategjinë për veriun e vendit dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë kosovare", ka deklaruar Krasniqi.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën (ISG) në takimin e së hënës në Vjenë i ka dhënë mbështetje strategjisë së autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës, ndërsa i ka kërkuar Serbisë të ketë një rol konstruktiv në këtë drejtim.