Krasniqi: Kemi gatishmëri për të bërë një reformë zgjedhore

Reforma zgjedhore është e domosdoshme, në mënyrë që gabimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë, të mos përsëriten.
Dhe për këtë Komisioni për Amandamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës ka marrë mbështetjen e drejtuesve edhe të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI).
Këto vlerësime kanë dal nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi dhe Guvernatori Hauard Din, ish kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat dhe kandidat për president, në tryezën e mbajtur të hënën “Vlerësimi i Zgjedhjeve Parlamentare 2010, mësimet e nxjerra dhe reforma zgjedhore”, të cilën e organizoi Shërbimi për Hulumtime Parlamentare i NDI-së.
Me këtë rast Krasniqi ka njoftuar e Guvernatorin Din, për përgatitjen që po bëhen për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për të bërë një ndryshim në reformën zgjedhore.
Krasniqi ka theksuar se këto po bëhen për të mos u përsëritur gabimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë.
“Natyrisht ne kemi gatishmëri për të bërë amandamentimet e nevojshme në Kushtetutë, për të bërë ndryshime në Ligjin zgjedhor, në mënyrë që të kemi një reformë zgjedhore sa më efikase, sa më transparente, në mënyrë që këto dobësi që i kemi pas në zgjedhjet e kaluara të mos na përsëriten në të ardhmen. Ky është vullneti politik i Kuvendit, si institucion, por besoj se ky është vullneti politik i gjitha partive politike që do të marrin në zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Krasniqi.
Nga ana tjetër, Hauard Din ka thënë se është i impresionuar me optimizmin dhe energjinë e kosovarëve. Sipas tij është e natyrshme që në procesin e zhvillimit të shtetit dhe të demokracisë të bëhen këto ndryshime.
Din ka theksuar se edhe procesi i numërimit të votave që bëhet në Kosovë është shumë i mirë, por sipas tij duhet të bëhet në mënyrë të sinqertë.
“Varet prej procesit që ju përdorni. Sistemi që ju përdorni është një sistem i mirë. Nuk ka shumë rëndësi se ku bëhet numërimi, por numërimi duhet të bëhet haptazi. Në Amerikë votimi është përmes kompjuterit dhe nuk ka fletë votimi, por edhe nëse nuk është ky lloj i votimit, me rëndësi është që numërimi të jetë i sinqertë”, ka theksuar Din.
Për më tepër ai ka shtuar se NDI është këtu për ofruar ndihmën për ndryshimet në sistemin zgjedhor, por jo edhe për të zgjedhur sistemin e duhur.
“Unë nuk jam këtu për t’u treguar njerëzve si të reformojnë sistemin zgjedhor. NDI është këtu për të ndihmuar në sistemin që ju mendoni se është më i mirë. Është e vërtetë që kemi një eksperiencë në tërë botën. Kemi parë disa gjëra në disa shtete që kanë qenë të mirë dhe disa gjëra tjera që kane qenë gabim, kështu që ne mund t’ju ndihmojmë në këtë mënyrë, por nuk jemi këtu për të zgjedhur sistemin e duhur”, ka deklaruar ai.
Në tryezë kanë marr pjesë përveç anëtarëve të Komisionit edhe shoqëria civile dhe organizata të ndryshme.