E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi rreth stabilitetit financiar gjatë kësaj jave

Nga Express më 30 maj 2011 në ora 18:47

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës ende nuk kanë dhënë hollësi rreth takimeve të zhvilluara me delegacionin e Fondit Monetar, i cili po qëndron ende në Kosovë. Merret vesh se është diskutuar për çështjet e buxhetit, ndërkohë një vlerësim rreth stabilitetit financiar në Kosovë delegacioni i FMN-së pritet ta publikojë gjatë kësaj jave.

Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar misionin dyjavor në Kosovë për t’i harmonizuar qëndrimet e tyre me Qeverinë e Kosovës.

Zyrtarë brenda qeverisë konfirmojnë se është diskutuar për çështje që lidhen me buxhetin e Kosovës, por theksojnë se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

Burime të Radio Kosovës brenda zyrës së FMN-së në Prishtinë, thonë se delegacioni i FMN-së do të japë një vlerësim për stabilitetin financiar në Kosovë gjatë kësaj jave.

Raportet në mes FMN-së dhe Qeverisë së Kosovës ishin zbehur pas vendimit të qeverisë për rritjen e pagave të shërbyesve pa pajtimin e këtij institucioni.

Nuk dihet nëse është arritur marrëveshje për këtë çështje, por mësohet se janë përafruar qëndrimet në këtë fushë dhe Kosova për t’i mbuluar nevojat financiare do të aplikojë për një hua 108 milion euro në FMN.

Me këtë FMN-ja do të japë garanci për Kosovën që t’i lejohen mbi 100 milion euro tjera nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›