Krasniqi, Konjufca e Isufi vizitojnë grevistët

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, kanë vizituar veteranët grevistë, të cilët kanë hyrë në ditën e dymbëdhjetë të grevës së tyre.
Delegacioni i Kuvendit, një vizitë të tillë e ka bërë pak para fillimit të seancës plenare, në të cilën po ashtu është ngritur çështja e grevës së veteranëve të UÇK-së. Me këtë rast, Krasniqi ka shprehur mirënjohjet për kontributin që kanë dhënë ish-luftëtarët e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e vendit, ndërkaq u ka bërë të ditur veteranëve se Ligji për vlerat e luftës nuk ka ardhur ende në Kuvend nga Qeveria.
Kryetari i Kuvendit, Krasniqi u ka kërkuar veteranëve që ta ndërpresin grevën, duke premtuar se sapo të vijë ligji në Kuvend, do të procedohet dhe do të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur. (Zëri)