E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobruna mbron Gecin

Dëshmitari i mbrojtjes, Sokol Dobruna, ka mbrojtur me fanatizëm luftën e UÇK-së dhe pjesëtarët e saj. Duke dëshmuar në gjykimin e Sabit Gecit, ai tha të enjten se këto gjykime po bëhen me qëllim të denigrimit të UÇK-së nga ata që gjithnjë kanë qenë kundër luftës Nga Nexhmije Ahmeti më 03 qershor 2011 në ora 12:50

Ish-kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, nuk i janë kujtuar shumë detaje për kohën sa ishte në burgun e Dubravës me Sabit Gecin. Ky person është ftuar nga pala mbrojtëse që të dëshmojë në gjykatë me rastin e gjykimit të Sabit Gecit dhe Riza Aliaj, ish – pjesëtarë të UÇK-së.

Në pyetjet e avokatit Mahmut Halimi. Sokol Dobruna e ka përshkruar të akuzuarin Geci si njeri të qetë dhe se nuk ka pasur konflikt me askënd gjatë kohës sa kanë qenë bashkë si të burgosur. Dobruna është pyetur edhe nga i akuzuari Geci i cili gjatë gjithë kohës e ka quajtur “Baca Kolë”. Edhe në pyetjet e tij, Dobruna ka thënë se Sabit Geci ka qenë njeri që nuk ka shkaktuar asnjë telash me të burgosurit tjerë.

Për mos mbamendjen e tij rreth të akuzuarit Geci, Dobruna është arsyetuar se ka kaluar kohë e gjatë dhe ka harruar disa detaje. Megjithatë jashtë sallës së gjykimit ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, procesin e gjykimit ndaj Gecit dhe të tjerëve e ka quajtur denigrim të luftës çlirimtare. “Sipas mendimit tim, po afirmohen njerëzit të cilët kanë qenë kundërshtarë të luftës dhe natyrisht se ata kundërshtarë kanë qenë, janë dhe do të jenë kundërshtarë të kauzës kombëtare”, tha Dobruna, pa përmendur ndonjë emër konkret. Ai ka folur edhe rreth paraqitjes së tij publike rreth Gjykatës Ushtarake për të cilën tha se ka marrë falënderime, por edhe fyerje.

Dobruna tha se nuk është penduar për atë çka ka deklaruar edhe pse Melihate Tërmkolli, në një kolumne të saj e ka quajtur kriminel, se ka dashur ta vrasë kryetarin aktual të Suharekës, Blerim Kuqin. “Po ta kisha vra s’e di se çka kish fol, por ajo si duket nuk e ka lexuar mirë, nuk e ka analizuar mirë dhe kështu kur njeriu gjithmonë mendon në logjikën partiake, shkon e shkreton”, tha Dobruna.

Ai tha se në luftë gjithnjë diçka mbetet pa thënë, por ajo që është më e rëndësishmja është se Serbia nuk është në Kosovë, duke iu falënderuar UÇ K-së. Sa i përket akuzave për të cilat dyshohet Sabit Geci dhe të tjerët për burgun e Cahanit në Shqipëri, Dobruna tha se asnjëherë nuk ka dëgjuar për diçka të tillë. Ai është i bindur se asnjë nga ato për të cilat po flitet nuk kanë ndodhur, por ata njerëz që kanë qenë kundër luftës tash po e keqpërdorin situatën.

Dobruna nuk e ka mohuar faktin se ka pas burgje gjatë luftës dhe se dikush ka mundur edhe të jetë i torturuar, por këto ai i arsyeton me atë se edhe sot njerëzit rrihen nga policia. “Si avokat që jam, klientët e mi shpeshherë më janë ankuar se janë rrahur nga policia. Atëherë çfarë mund të flasim për njerëzit që i kemi marrë të dyshimtë për spiunazh”, tha Dobruna.

Sabit Geci dhe Riza Aliaj akuzohen për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në kampin e Cahanit në Shqipëri.

Në këtë proces kundër dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile prokuroria ka propozuar mbi 20 dëshmitarë të mbrojtur. Shumë prej tyre i kanë kryer dëshmitë e tij ndërsa të enjten pritet të dëshmon ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›