E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Kosova para sfidave edhe në vitin 2011

PRISHTINË- Kosova vazhdon të jetë para sfidave edhe në vitin 2011, tha sonte Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, në pritjen tradicionale për trupin diplomatik të akredituar në Prishtinë.
"Presim që shumë shpejt, sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve të përgjithshme, të ndërtojmë institucionet përfaqësuese e ekzekutive dhe të konsolidojmë sistemin tonë demokratik", tha ai.
"Kosova dhe institucionet e saj të reja edhe gjatë vitit 2011 do të ndodhen përballë sfidave të shumta dhe të vështira. Duke qenë një shtet i ri, me vetëm tri vjet pavarësi, Kosova përballet në fakt me vështirësitë e rritjes e të zhvillimit", shtoi Krasniqi.
"Por, Kosova po përballet edhe me sfida të papritura, siç është raporti famoz i zotit Dick Marty, pretendimet e të cilit duhet të hetohen dhe të zbardhen sa më parë nga drejtësia, për të mos mbetur peng i tyre imazhi ndërkombëtar i Kosovës", theksoi presidenti kosovar në detyrë.
Ai tha se "programi dhe prioritetet strategjike të Kosovës janë të qarta për cilëndo qeveri dhe për institucionet e tjera, për shoqërinë civile dhe për gjithë qytetarët: zhvillimi ekonomik e shoqëror dhe sundimi i plotë i ligjit e qeverisja e mirë, shtimi i njohjeve të pavarësisë dhe anëtarësimi në organizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë OKB-në, përmbushja e standardeve dhe kritereve, që vendi të shënojë progres drejt liberalizimit të vizave e të integrimeve euroatlantike".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›