E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marti: Raporti mundtë mbetet në letërdëshmitarët e frikësuar

LONDER- Raportuesi i Këshillit të Evropës Dik Marti ka thënë se raporti i tij për trafikimin e organeve mund të mbetet vetëm fjalë e shkruar në letër.

"Sapo bëhet fjalë për procesin ndaj dikujt që është në pozitë të lartë politike apo në hierarkinë kriminale, konstatojmë se thjesht nuk ka dëshmitar", i ka thënë Marti radios shtetërore britanike.

Ai ka shtuar se "dëshmitarët dhe familjet e tyre po frikësohen", dhe se ka pasur edhe vrasje të dëshmitarëve.
Marti ka thënë se më së shumti e ka shokuar fakti se raporti i tij ka "nxitur skandal, ndërsa vrasjet e dëshmitarëve që kanë ndodhur viteve të fundit janë përcjellur me indiferencë të përgjithshme".

Nderkaq, kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Izabela Arnal, është takuar dje me prokurorin serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviç, me të cilin ka diskutuar për ndërmarrjen e hapave të përbashkët për të dhënat e ofruara në raportin e Dick Marti, për trafikim organesh, kanë raportuar mediet serbe. Ky takim është mbajtur me rastin e miratimit të rezolutës për tregti organesh në Kosovë, në mbledhjen parlamentare të Këshillit të Evropës, njoftojnë mediet serbe, duke cituar një komunikatë të lëshuar nga Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë.

Në anën tjetër, EULEX-i ka njoftuar se ka marrë një përgjigje nga Marti, por jo edhe prova e dëshmi, për pretendimet për krimet e kryera, siç janë raportuar nga ai. “Ne kemi marrë një përgjigje nga z. Marti, por jo edhe prova apo burimet që do të mundësonin që këto pretendime të bëra të ndiqen juridikisht. Sidoqoftë, shpresojmë që së shpejti të pranojmë ato materiale”, është shprehur zëdhënësi Blerim Krasniqi.
(NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›