Paga e arsimtarit 350, e profesorit 405 euro
Punëtorët e arsimit do t’i marrin pagat e janarit me rritje ashtu siç është premtuar nga ana e kryeministrit në largim, Hashim Thaçi.
Sipas listave tashmë të përpiluara, rroga minimale neto për një profesor do të jetë 405 euro, përderisa arsimtari do të kompensohet me 350 euro.
Sipas listave të përpiluara me pagat e arsimtarëve të nivelit fillor dhe të mesëm për muajin janar, të cilat janë siguruar nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prizrenit, mediat transmetojnë se punëtorët e arsimit do t’i marrin pagat e janarit me rritje ashtu siç është premtuar.
Varësisht nga përvoja në punë, profesorët mund të marrin deri në 430 euro. Kjo shumë ndërkaq rritet edhe më tej, nëse llogariten mjetet e paguara në emër të pensionit.
Gjithnjë sipas këtyre listave, del se arsimtari në nivelin fillor që si kualifikim ka shkollën e lartë do të kompensohet me pagë minimale mujore prej 350 eurosh.
Me ndryshimin e ri të sistemit të pagave rritje kanë edhe punëtoret teknikë të shkollave, të cilët këtë muaj do ta nënshkruajnë pagën prej 200 eurosh. Ky nivel për këtë kategori shënon rritjen më të madhe që nga pas lufta. Duhet theksuar se deri tash një pastrues në shkolla ka marrë pagë vetëm 137 euro, ndërsa nga janari në konton e tij shtohen edhe 63 euro, apo 30 për qind e pagës së deritashme.
Megjithëse në listat e reja të pagave, rritje kanë edhe drejtorët e shkollave, kjo akoma nuk është zyrtare, për shkak se menaxherët siç njihen ndryshe ata, nuk dihet saktësisht nëse do të llogariten si pjesë e arsimit apo vetëm shërbyes civilë.