Krasniqi: Kroacia të jetë avokat i Kosovës në proceset integruese

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi, priti sot presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq. Pasi falënderoi presidentin kroat për këtë vizitë, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Kosova dhe Kroacia po ndërtojnë marrëdhënie shumë të mira në shumë lëmenj, ndërsa në këtë aspekt kontribut të rëndësishëm jep edhe bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet dy parlamenteve. Mirëpo, të dy vendet kanë më shumë hapësirë për shtimin e bashkëpunimit. Në këtë vështrim, angazhimet e Kroacisë për të ndihmuar Kosovën drejt integrimit evropian janë me shumë rëndësi për Kosovën. ”Kemi dëshirë që në këtë proces Kroacinë ta kemi një avokat”, tha kryekuvendari Krasniqi.
Duke kujtuar marrëdhëniet e hershme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë , kreu i legjislativit të vendit Krasniqi, theksoi se në Kroaci jetojnë 16 mijë shqiptarë me nënshtetësi kroate, por në të njëjtën kohë edhe në Kosovë jeton komuniteti kroat, ndaj edhe ky fakt obligon dy shtetet për forcim të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë. Në Kuvendin e Kosovës, pohoi Krasniqi,janë të përfshira gati të gjitha komunitetet pakicë,të cilat bëjnë pjesë edhe në Kryesi të Kuvendit,por edhe në komisione. Bëhen përpjekje që edhe komunitetet që nuk janë të përfshira në Kushtetutë të përfshihen,gjithnjë duke u bazuar në faktin se komunitetet pakicë janë ndihmesë e jo pengesë.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim zgjedhjeve lokale, në vigjilje të të cilave është Kosova,ndërsa pastaj foli edhe për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet,tha ai, janë gjithnjë të vështira,mirëpo Beogradi në këtë kuadër po bën edhe përpjekje për defunksionalizim të institucioneve në Kosovë.
Duke u falënderuar për pritjen, presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq,shprehu angazhimin e Kroacisë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjelle,duke theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë shumë të mira. Përkitazi me procesin e integrimit në BE,ai tha: ”Politika jonë është integrimi i Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian,pra edhe i Kosovës. Synimi i juaj për integrim evropian përputhet me vizionin tonë. Kosova në këtë aspekt do ta ketë përkrahjen e Kroacisë,por punën kryesore duhet ta bëni ju,sidomos në aspektin e ndërtimit të institucioneve demokratike, zbatimin e ligjeve, bërjen e reformave, ndërkaq integrimi në Evropë njëherësh do të evitojë problemet e tashme që ekzistojnë në shtetet që ende nuk janë integruar në BE”, theksoi presidenti Ivo Jospipoviq.
Në vijimi ai tha se procesi i integrimit në BE shoqërohet me shumë sfida,shtetet që aspirojnë drejt BE-së do të kenë vështirësi,por gjithë kjo punë pastaj shpaguhet në të mirë të tyre. Ai përmendi në këtë aspekt edhe përvojën kroate drejt integrimit, duke kujtuar edhe të arriturat e Kroacisë në fuqizimin e institucioneve demokratike, avancimin e të drejtave të komuniteteve, luftën kundër korrupsionit etj. Në këtë kontekst ai vlerësoi edhe bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur besimin se këto bisedime do të sjellin efekte pozitive. Ai pastaj çmoi edhe kontributin e personaliteteve nga radhët e komunitetit shqiptar, të cilët kontribuuan në zhvillimin e shoqërisë kroate.
...................
Kroacia e mbështet dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar sot në Prishtinë presidenti kroat, Ivo Josipoviq.
Këto komente, Josipoviq i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidenten Atifete Jahjaga me ftesë të së cilës, presidenti kroat po qëndron në Kosovë në një vizitë tre ditëshe.
Me këtë rast, presidenti Josipoviq ka folur për marrëdhëniet e mira që kanë Kroacia dhe Kosova, duke falënderuar shumë shqiptarë të Kosovës që kontribuan si për pavarësimin e këtij vendi e deri te ditët e sotme kur këta qytetarë që sot gëzojnë shtetësinë kroate japin kontributin e tyre por zhvillimin e shtetit kroat.
Josipoviq tha se e mbështet plotësisht edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një proces i domosdoshëm për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
“Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm bisedimet që po zhvillojnë Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe konsiderojmë që përparimi i bërë është shumë i rëndësishëm dhe i përgëzojmë të dyja palët. Këto bisedime do të duhej të sillnin si rezultat normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dyja vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Josipoviq.
Ndërkohë, presidentja Jahjaga e ka përgëzuar edhe njëherë presidentin Josipoviq për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian.
“Kjo është një e arritur për Kroacinë por edhe gjithë rajonin”, ka nënvizuar Jahjaga.
Në këtë aspekt, Jahjaga ka kërkuar nga Josipoviq mbështetjen e Zagrebit zyrtar në çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat dhe konferencat rajonale.
Si dy vende që kanë marrëdhënie të mira, presidentja Jahjaga dhe presidenti Josipoviq janë angazhuar për bashkëpunim të ngushtë ekonomik e tregtar.
Presidentja Jahjaga ka premtuar se Kosova do t’i njohë komunitetit kroat statusin e pakicës kombëtare dhe njëherësh do t’i sigurojë këtij komuniteti përfaqësim në institucionet e larta siç është Kuvendi.
Pas takimit me presidenten Jahjaga, Josipoviq është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe do të realizojë një vizitë në qytezën e Janjevës ku jeton një numër i pjesëtarëve të komunitetit kroat në Kosovë. /REL/