Krasniqi: Metodat përjashtuese me elemente primitive nuk i kontribuojnë bashkëpunimit rajonal

Pas mungesës së ftesës për Kuvendin e Kosovës për pjesëmarrje në Konferencën e 10-të të kryetarëve të Kuvendeve të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), nga ana e Kuvendit të Maqedonisë, ka reaguar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Në reagim thuhet:
“Kosova nuk është ftuar nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë në Konferencën e 10-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që po mbahet në Ohër të Maqedonisë.
Kjo konferencë është pritur të ofrojë një forum parlamentar për shkëmbimin e përvojave, dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet me interes të përbashkët për rajonin në Evropën Juglindore që ndajnë një perspektivë të përbashkët evropiane.
Mungesa e ftesës për Kuvendin e Kosovës nga shteti fqinj, Maqedonia, në një konferencë që për fokus kryesor ka rolin e parlamenteve kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal në kapërcimin e sfidave bashkëkohore, nuk mund të sjell bashkëpunim rajonal të mirëfilltë në Evropën Juglindore.
Konsiderojmë se metodat përjashtuese me elemente primitive nuk i kontribuojnë zhvillimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Në interes të bashkëpunimit rajonal, ne mendojmë që edhe Kosova duhet të jetë pjesë e pandashme e të gjitha takimeve dhe nismave rajonale, ku marrin pjesë vendet që kanë perspektivë të përbashkët evropiane.
Kuvendet janë institucione përfaqësuese të qytetarëve dhe qytetarët e Kosovës duhet t’i kenë përfaqësuesit e tyre në Konferenca të tilla”./Indeksonline/