Krasniqi: Nesër kemi seancë të jashtëzakonshme

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në një konferencë për media ka njoftuar për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, që ka ardhur si kërkesë e Grupit Parlamentar të PDK-së.
“Në këtë javë kemi plotë seanca. Nesër do të jetë një seancë e thirrur e Grupit Partisë Demokratike me nënshkrimin e 46 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës. Të enjten dhe të premten kemi dy seanca njërën pas tjetrës, dy seanca të punës dhe kështu po e përmbyllim këtë javë me tri seanca”, ka theksuar Krasniqi, siç transmeton Kosovapress.
Javën e kaluar Lëvizja Vetëvendosje pati kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, por që nuk kishte arritur të mbledhte më shumë se 20 nënshkrime të deputetëve.
Thirrjen për seancë të jashtëzakonshme nga Grupi Parlamentar i PDK-së, opozita e ka quajtur si absurde dhe të panevojshme, pasi që konsiderojnë se kryeministri i vendit, Hashim Thaçi që është edhe lider i PDK-së, në bazë të Kushtetutës së Kosovës mund të thërret seancë të jashtëzakonshme.