E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Ngushëllime familjarëve, FSK punë të lavdërueshme

Kreu i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, përmes një deklarate për shtyp u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të nëntë viktimave në fshatin Restelicë.

“Me shqetësim dhe dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen tragjike të 9 qytetarëve, shkaktuar nga orteku i borës. Kjo tragjedi ka prekur thellë, jo vetëm familjarët e të afërmit, por edhe tërë qytetarët e Kosovës. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmeve të familjes Reka. Në këto momente shumë të dhimbshme, vlerësoj lart angazhimin e jashtëzakonshëm që bënë dhe po bëjnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës, të trupave të KFOR-it, si dhe qytetarët, që në këto kushte tejet të vështira atmosferike po bëjnë gjithçka që është e mundur për të nxjerrë dhe shpëtuar të goditurit nga orteku i borës”, theksohet në deklaratën e Krasniqit.

Të shtunën nga një ortek që u rrokullis mbi shtëpitë në fshatin Restelicë humbën jetën 9 persona, ndërsa një vajzë pesëvjeçare u nxorr e gjallë, ndërsa dyshohet edhe për një të zhdukur.
Ekipet e shpëtimit kanë ndërprerë mbrëmjen e së dielës kërkimet për të zhdukurin e fundit për shkak të motit të keq. Kërkimet rinisin sot, ndërkohë që autoritetet qeveritare nuk kanë përjashtuar rrezikun nga orteqe të tjera në këtë zonë.
Kosova është përfshirë nga moti i ftohtë, i cili ka përfshirë edhe shumë shtete të tjera në Ballkan dhe në Evropë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›