E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Rritja e pagave s'është në përputhje me objektivat

Nga Express më 15 mars 2011 në ora 19:00

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) i udhëhequr nga Costas Christou e ka vizituar Kosovën për disa ditë me radhë, me ç’rast në përfundim të vizitës së zyrtarëve të këtij institucioni është lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet se rritja e pagave nuk është në përputhje me objektivat e programit SBA, por diskutimet për këtë çështje dhe buxhetin do të vazhdojnë në periudhën në vijim.

Prej 5 deri më 15 mars një mision i FMN-së ka diskutuar me autoritetet e Kosovës mbi shqyrtimin e parë të Aranzhmanit Stand-By (SBA).

Në përfundim të këtij misioni, Costas Christou ka lëshuar një deklaratë ku jepen disa sqarime mbi zhvillimin e diskutimeve njëjavore.

“Një mision i stafit të FMN-së vlerësoi performancën ekonomike dhe atë të sektorit financiar, dhe mbajti diskutime mbi draft-buxhetin për vitin 2011, si pjesë të shqyrtimit të parë të Aranzhmanit Stand-By. Diskutimet mbi buxhetin e vitit 2011 kanë avancuar, por ato nuk mund të përmbylleshin gjatë vizitës së misionit dhe do të vazhdojnë në periudhën në vijim”, thuhet në deklaratë.

Por njëra prej çështjeve të mbetura sipas deklaratës së FMN-së është rritja substanciale në shumën e pagave të sektorit qeveritar që parashihet në këtë draft-buxhet, e që kjo rritje nuk është në përputhje me objektivat e programit SBA.

Më tutje theksohet se rimëkëmbja ekonomike është në rrugë të mbarë kundrejt një rritjeje ekonomike dhe kreditimit të sektorit privat dhe rritja reale ekonomike pritet të arrijë 5.5 për qind në vitin 2011.

Ndër të tjera, është thënë se ka shenja inkurajuese se përkundër një trendi të përkeqësuar në kreditë jo-performuese, sektori bankar mbetet stabil dhe me kapital të mjaftueshëm në përgjithësi. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›