Krasniqi: Qeveria na ka sjellë ligje të dobëta

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi shprehu pakënaqësinë e tij për shumicën e ligjeve të prura nga Qeveria e Kosovës duke i cilësuar ato të këqija.
Në një intervistë analitike për mbylljen e vitit 2011, kryeparlamentari i Kosovës e vlerësoi vitin 2011 të suksesshëm për Kuvendin e Kosovës duke theksuar se për nëntë muaj Kuvendi arriti të miratojë 65 ligje.
Gjatë intervistës për Kosovapress, zoti Krasniqi nënvizoi se Kuvendi ka mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtyre ligjeve, duke saktësuar se axhenda e Kuvendit nuk është ndikuar nga kryeministri Hashim Thaçi.
“Kur nga Qeveria na vijnë ligje që i plotësojnë kriteret për t`u shqyrtuar dhe miratuar, nëse janë mirë të punuara ia lehtësojnë punën Kuvendit për t`i kryer më mirë detyrat.
Nëse këto ligje vijnë jo mirë të përgatitura as në aspektin gjuhësor, as në aspektin profesional, sigurisht që edhe mundësitë edhe zgjatja e miratimit të tyre do të ndodhë, për shkak të cilësisë së dobët që na vijnë nga Qeveria. Natyrisht, ne e dimë se kapacitetet profesionale për hartimin e ligjeve në Kosovë nuk janë të mjaftueshme”, deklaroi Krasniqi.
I pyetur lidhur me kundërshtimet e tij për zgjedhjen e Behgjet Pacollit dhe më pas Ahtifete Jahjagës si presidentë të Kosovës, Krasniqi nënvizoi se “Ndonjëherë është dukur se jam kundër koalicionit qeverisës, që në fakt unë s`kam qenë kundër koalicionit, por ka pasur kërkesa që kanë qenë ndesh me ligjin. Sa herë ka pasur kërkesa që janë ndesh me ligjin dhe me rregulloren e punës së Kuvendit, unë jam i obliguar ta respektojë edhe ligjin edhe rregulloren”.
Në këtë suazë, kryekuvendari i Kosovës Jakup Krasniqi sqaron se përtej përshtypjes së krijuar se ai ka synuar karrigen e Presidentit të Kosovës, e vërteta është se ai ka kërkuar që në këtë post të vijnë njerëz nga skena e politikës apo edhe ajo akademike.