E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesic: Kosova respekton të drejtat e pakicave

Ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic ka deklaruar gjatë një interviste se çelësi i zgjidhjes së problemit të veriut ndodhet në Beograd, ndërsa duke ju referuar gjendjes së pakicave është shprehur se serbët dhe pakicat tjera në Kosovë kanë pozicionin më të mirë në Evropë.
 

Sipas tij, asnjë pakicë në Evropë nuk gëzon të drejtat kushtetuese ashtu si në Kosovë, fakt i cili sipas Mesic duhet të çmohet dhe përkrahet në Beograd dhe jo të pengohet bashkëpunimi i serbëve të Kosovës me institucionet kosovare.
 

“Kur serbët e Kosovës, shumica prej tyre kanë vendosur të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, Beogradi nuk e ka dëshiruar këtë, sepse i është nevojitur baza nacionaliste për të mobilizuar votuesit e saj për të fituar shumicën në parlament, ndërkohë që serbët e Kosovës nga kjo nuk kanë pasur asgjë”, u shpreh Mesic.
 

Ajo çfarë tani po ndodh në kufirin e Kosovës, sipas Mesiç, është thjesht “ luftë e humbur që i shkakton dëme të dyja palëve. Beogradi nuk është i detyruar për shkak të arsyeve historike të njohë Kosovën, por kurrrsesi nuk duhet të pengojë bashkëpunimin e Kosovës me të tjerët”.
 

Stipe Mesic gjatë këtij viti u shpall qytetar nderi i Prishtinës dhe është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa”. Si mik i shqiptarëve ai u bëri thirrje udhëheqësve kosovarë që të marrin përgjegjësitë në mënyrë që të udhëheqin drejt Kosovën. Ndërsa ka shtuar se pas ndërrimit të qeverisë kroate, nuk pritet ndonjë ndryshim në raportet Kroaci- Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›