Krasniqi: Serbia do të pësojë "goditje" tjetër në Asamble
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u shpreh të martën optimist se Kosova me aleatët e saj do ta mund Serbinë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kryetari i Kuvendit këto komente i bëri pas një takimi me arbëreshët e Italisë, madje sipas tij kjo do të jetë goditje e radhës për Serbinë nga ana e Kosovës.
Ai shprehu besimin se Asambleja e Përgjithshme e cila dikur miratoi kërkesën e Serbisë për të dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e Kosovës, do ta respektojë mendimin pozitiv që i është dhënë shpalljes së pavarësisë së vendit nga kjo Gjykatë.
Ndryshe, në takimin me përfaqësuesit e arbëreshëve të Italisë u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, në mënyrë që të vazhdohet të ruhet identiteti shqiptar edhe te arbëreshët.