Zardari: Rindërtimi i Pakistanit do të zgjasë tre vjet ose më shumë
Presidenti i Pakistanit Asif Ali Zardari, i cili është kritikuar ashpër, ka mbrojtur masat e qeverisë së tij kundër përmbytjeve. "Duke pasur parasysh masat e shkatërrimit, zemërimi ndaj tij dhe ministrave të tij ishte i pashmangshëm", tha kreu i shtetit pakistanez për shtypin e huaj. Sipas tij rindërtimi do të zgjasë tre vjet ose edhe më shumë. Zardari hodhi poshtë shqetësimin se kjo katastrofë do të dobësojë luftën kundër talebanëve dhe grupeve që bashkëpunojnë me Al Kaedën.
Ndërkohë ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle i bëri thirrje gjermanëve të dhurojnë më shumë për Pakistanin. "Nuk bëhet fjalë për vlerësimin e situatës politike në këtë vend, por për më shumë solidaritet", tha ministri i Jashtëm gjerman. Westerwelle ndër të tjera shtoi : "Bëhet fjalë për ndihmë ndaj njerëzve në rrezik jete, për ndihmë ndaj fëmijëve, familjeve, për ujë të pastër, dhe para së gjithash për përkujdesin mjekësor." Katër javë pas fillimit të përmbytjeve gjigante, vërshimet kërcënojnë tani edhe qytetet e mëdha në provincën Sindh në jug. Ndërkaq 300.000 pakistanezë të tjerë ndodhen në qiell të hapur.