Pack tërhiqet, nuk do të ngrejë padi kundër Ivanovit

Eurodeputetja gjermane Doris Pack ka hequr dorë sot në ngritjen e padisë penale kundër presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov. Ky vendim i saj ka pasuar pas një bisede telefonike që presidenti Ivanov ka pasur me deputeten e CDU gjermane pranë Parlamentit Evropian.
Ivanov i ka bërë me dije eurodeputetet gjermane se nuk kishte sajuar asgjë duke përdorur emrin e saj, por kishte konfirmuar se ajo është një mike e Maqedonisë.
"Pas bisedës që kam zhvilluar nuk do të ngrejë padi penale dhe falje publike. Por, ajo që është e vërtetë se edhe po të doja të bisedoja për temën e Maqedonisë, nuk kishte shanse, për shkak se ishim në një ceremoni përkujtimi për masakrën e Srebrenicës", ka theksuar sot, eurodeputetja gjermane.
Ajo ka pohuar se mund të jetë përshëndetur me presidentin Ivanov gjatë përkujtimit të 15 vjetorit të masakrës serbe ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, por ajo ka vërtetuar se nuk ka biseduar asgjë lidhur me çështjen e Maqedonisë dhe problemin e saj me emrin.
Presidenti Gjorgje Ivanov ka pohuar të premten e kaluar se në një takim me eurodeputeten Pack gjatë këtij viti në Srebrenicë, ajo i kishte pohuar se Maqedonia në vitin 1995 kishte humbur shansin dhe ofertën e bashkësisë ndërkombëtare për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe NATO me referencën FYROM.