E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Vepruam mirë që nuk ftuam sigurimin

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi nuk ka dashur që mbrëmë të përdorë të gjithë autoritetin që ia jep ligji për veprim në Kuvendin e Kosovës. Të paktën kështu ka deklaruar vetë kryeparlamentari Krasniqi.

Krasniqit në seancën e mbrëmshme i është marrë mikrofoni nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, por ai këtë veprim nuk e sheh të rrezikshëm. Krasniqi pohon se shumë gjera duhet të shihen në kuptim të demokracisë, dhe se, sipas tij, demokracia nganjëherë i tejkalon disa kompetenca.

“Kemi mundur që si kryesi ta bëjmë ndërhyrjen. Por mendoj që kemi vepruar si është më së miri për ta ruajtur autoritetin e institucionit të cilin e përfaqësojmë”, tha Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndryshe, shefi i grupit parlamentarë të PDK-së, Adem Grabovci shprehu bindjen se Vetëvendosje ka pasur qëllime të caktuara për të destabilizuar situatën në Kuvend.

“Kuvendi ka 120 deputetë, shumica vendos për çdo gjë, jo pakica. Vetëvendose ka pasur tendencë që destabilizoi situatën, por deputetë u treguan të matur”, tha Grabovci.

Kryesina e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të ënjtën. Në ditët në vazhdim kuvendi do të mbajë një varg seancash, që më shumë kanë karakter përkujtimor. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›