E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Zgjidhja për veriun vetëm me Planin Ahtisaari

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi përsëriti të martën qendrimin e tij se zgjidhja e veriut të Mitrovicës duhet të bëhet vetëm me anë të Planit të Martti Ahtisaarit.

Kryekuvendari Krasniqi tha se idetë qe vijnë nga organizatat si Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) janë të paarsyeshme përderisa institucionet e Kosovës kanë një Plan që është ai i Presidentit Ahtisaari i cili u jep shumë të drejta komuniteteve në Kosovë.

Këto komente Krasniqi i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës,ku u përcaktua seanca e parë e sesionit vjeshtor e cila do të mbahet më 2 shtator për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së Nënës Terezë. Ndërkohë, seanca e rregullt e Kuvendit do të mbahet me datën 6 të po këtij muaji.

Krasniqi i është kundërpërgjigjur kërkesës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, i cili dje ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin për persona të pagjetur. Ai tha se Kuvendi pritet që të miratojë një sërë ligjesh që lidhen me luftën e fundit në Kosovë, duke lënë të kuptojë se edhe çështja e të pagjeturve do të përfshihet në mesin e këtyre ligjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›