Përfundon misioni luftarak amerikan në Irak
Njësitë luftarake amerikane u larguan nga Iraku duke e sjellë numrin e forcave amerikane në më pak se 50 mijë. Këto trupa janë ato që ushtria i quan brigata mbështetëse dhe këshilluese. Misioni i tyre kryesor - të ndihmojnë forcat irakiane të bëhen më të afta për të krijuar një mjedis të sigurt.
Komandanti i forcave amerikane në Irak i cili po largohet, gjenerali Ray Odierno tha për "Zërin e Amerikës" se irakianët janë gati, por aty do të ketë trupa të mjaftueshme amerikane jo vetëm për stërvitje, por edhe për të ndihmuar në raste emergjente.
Gjenerali Odierno tha se irakianët duhet të përmirësojnë kapacitetet e tyre kundër terrorizmit nga fundi i vitit të ardhshëm megjithëse shprehu rezerva se ata nuk do të jenë plotësisht të përgatitur deri atëherë.
Gjenerali amerikan në pension James Dubik pohon të njëjtin mendim. Gjenerali ka qënë në krye të stërvitjes së forcave irakiane në vitin 2007 dhe 2008.
"është në interesin tonë të ketë një Irak të qëndrueshëm, një Irak që të jetë gjithnjë e më demokratik. Dhe është në interesin tonë të kemi një Irak miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perendimorë".
Michael O'Hanlon në Institutin Brookings thotë se nevojat e irakianëve do të shtrihen përtej vitit të ardhshëm, kur marrëveshja bilaterale e sigurisë kërkon që trupat amerikane të largohen.
"Ushtritë në të dyja anët, besoj se favorizojnë një vazhdimësi të marrëdhënieve të tyre profesionale në të njëjtin nivel".
Ndërsa trupat luftarake amerikane largohen dhe shpërthimet me bomba fillojnë të dëgjohen në mbarë vendin, udhëheqësit irakianë përballen me më shumë presion për të formuar një qeveri të re - gati pesë muaj pas zgjedhjeve.
Për politikanët e pakënaqur, largimi zyrtar sot do të jetë një kujtesë tjetër se e ardhmja e vendit është në duart e tyre.