Krasniqi dënon sulmin e serbëve ndaj KFOR-it

Në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi thuhet se plagosja e sotme me armë zjarri e dy ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dëshmon për praninë aktive të bandave kriminale atje dhe për rrezikun që ato paraqesin.
Sipas tij, ky akt i shëmtuar është shprehje e guximit që kanë marrë kriminelët e hazdisur për të sfiduar edhe me armë forcat ndërkombëtare të paqes dhe të sigurisë në Kosovë.
“Dimensioni i këtyre veprimeve bëhet akoma më i rrezikshëm për faktin që grupet kriminale mbështeten dhe inkurajohen nga Beogradi zyrtar, i cili nëpërmjet të tyre ka arritur të instrumentalizojë edhe një pjesë të qytetarëve serbë në Kosovë. Plumbat e sotëm qëlluan vetëm disa ditë pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë për ripushtimin e Kosovës, madje pa përjashtuar edhe luftën e armatosur. Kjo politikë intervencioniste serbe nuk është vetëm përzierje në punët e brendshme të shtetit tjetër, por kërcënim i drejtpërdrejtë i integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, ai ka vlerësuar se kjo lojë me zjarrin, por edhe durimi e toleranca duhet të kenë një kufi.
“Duke qenë Beogradi zyrtar burimi i gjithë problemeve në veri të Kosovës, thërras bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë ndaj tij ndikimin e saj, për të shpërndarë strukturat ilegale dhe kriminale atje, të financuara dhe të mbështetura prej tij, me qëllim të kthimit të rendit dhe sigurimit të jetës së qetë e të lirë për qytetarët”.
Krasniqi ka shprehur keqardhje për plagosjen e ushtarëve, të cilët kësaj radhe vijnë nga Gjermania mike, ku nga nesër do të jetë zyrtarisht në vizitë miqësore.
Kryekuvendari Krasniqi ka kërkuar nga organet kompetente të ndjekjes që të identifikojnë dhe t’i kapin e sjellin para drejtësisë autorët e krimit, kurse ushtarëve të plagosur u ka dëshiruar shërim të shpejtë dhe kthim në misionin fisnik të ruajtjes së paqes e të sigurisë në Kosovë.