Tafa merr një rol në serinë më të shikuar në rajon
Aktori kosovar, Ilir Tafa, është ftuar të luajë në komedinë më të shikuar televizive të vendeve të rajonit.
Komedia televizive boshnjake e cila që katër vjet vazhdon të mbetet më e shikuara në Kroaci, Bosnjë, Serbi e Maqedoni, “Lud, zbunjen, normalan” (I marri, i hutuari, normali), nga sezoni i pestë në fillim të vitit të ardhshëm, do të ketë edhe një fytyrë të re, atë të shqiptarit.
Autori dhe skenaristi Fexho Isoviq tashmë gjithçka ka bërë gati. Para një jave ishte sërish në Prishtinë dhe zgjodhi aktorin për karakterin që i nevojitej në seri. Ndoqi edhe disa shfaqje, përfshirë edhe atë “Sonte jam vetëm”, ku aktori Tafa shfaqet në disa karaktere në komedi.
“Befasia ime është se do ta freskoj serinë me një personazh të ri, me qëllim që ta lidh shikuesin me ekranin. Kam përzgjedhur Ilir Tafën. Do të futet fytyra e re e shqiptarit, i cili do të luajë me: dialektin e vet, energjinë dhe do ta freskojë serinë”, tha Isoviq për RTK-në.
Sipas tij, është menduar aktori origjinal shqiptar i Kosovës, e jo rolin e shqiptarit ta luajë ndonjë aktor boshnjak.
“Nuk kam dashur të futem në stereotipin që të luante ndonjë aktor boshnjak i cili vetëm do të zëvendësonte germën ll me l, por interesi është që të kemi aktorin e mirë origjinal shqiptar”, u shpreh skenaristi dhe autori Isoviq në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.
Aktori Tafa shpërthen kufijtë kombëtarë artistikë pas një sërë rolesh në dy dekadat e fundit, ndërsa boshnjakët kishin vënë nën llupën e analizës komedinë “Sonte jam vetëm” të Andre – Pol Antoan, ku Tafa luan rolin kryesor.
Të ardhur në Prishtinë për të ndjekur edhe këtë shfaqje, duket se për boshnjakët ky kishte qenë fundi i kërkimit të tyre për një rol të ri për serinë e tyre në Sarajevë, ku deri tani kanë realizuar 144 episode. Loja, karakteri dhe metamorfoza e shumëfishtë e aktorit në një dramë si ajo e Tafës, ka rezultuar më e qëlluar për skenaristin boshnjak për dramën e tij që tashmë është me e shikuara në televizionet e hapësira të ish-federatës.
“Unë pash disa shfaqje dhe besoj kam zgjedhur personin më të duhur për atë rol”, është shprehur skenaristi boshnjak.
Komedia ku tashmë do të shfaqet edhe shqiptari si protagonist, trajton përplasjen e brezave, modernes dhe konservatores, mendësisë së brezit të vjetër si pak i “luajtur”, brezit të mesëm si “i hutuar” dhe atij të ri që në raport me kohën, duket normal. Ngjarja zhvillohet në një apartament në Sarajevë ku jetojnë tre brezat e familjes Fazlinoviç. “Dora e gruas” në jetët e tyre është thjesht një “ndihmëse shtëpiake”.
Me i vjetri i familjes është Izet Fazlinonoviç. Izeti ka një djalë Farukun dhe ky i fundit djalin Damir. Drama ndodh gjatë përplasjes së mentalitetit ndërmjet tre brezave, një konflikt gjeneratash ndërmjet Izetit (i marri), Farukut (i hutuari) dhe Damirit (normalit). Shou arrin kulmin me involvimin e farefisit të fazlinoviqëve, shokëve dhe kolegëve të punës.
Nga fillimi i vitit të ardhshëm me sezonin e pestë të kësaj komedie ku bëhet protagonist edhe shqiptari, pritet edhe fillimi i përkthimit të këtij seriali për teleshikuesit shqiptarë. /KNN/