Presidentja priti Edi Ramën

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Rama, e vlerësoi rolin institucional por edhe inkurajues që presidentja e Kosovës ka luajtur që nga fillimi i mandatit të saj. Ai tha se Kosova dhe Shqipëria po avancojnë në proceset integruese evropiane.
Rama tha se duhet realizuar aspiratën e brezave të rinj për integrime evropiane duke inkurajuar këtë proces nëpërmjet thellimit të reformave.
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, tha se vizita e tij në Kosovë realizohet pikërisht në Ditën e Flamurit si një simbolikë dhe me këtë rast i dhuroi Presidentes së Kosovës librin e tij “Kurban”.
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, vlerësoi të arriturat në Shqipëri dhe tha se demokracia parlamentare ka arritur sukses. Ajo tha se është e arritur që në Shqipëri ka përafrim me standardet dhe në parimet mbi të cilat duhet të ecë vendi dhe që të ardhmen e shohin në integrimet euroatlantike dhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga tha se është zgjedhur Presidente konsensuale dhe se ajo do të respektojë Kushtetutën dhe ligjin në secilin rast. Ajo tha se kështu i jep shembull parimit të sundimit të ligjit dhe të legalitetit. Presidentja Jahjaga tha se të gjithë po mësojmë nga përvojat tona dhe se tash marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike janë relaksuar, duke arritur konsensus në drejtimet themelore që është në interes të Kosovës dhe të qytetarëve.
Twitter-reportazhi i Ramës nga Kosova
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Kosovë që nga e shtuna.
E, për çdo vizitë, ai shkruan në rrjetin social, Twitter.
Sot ai u ka uruar festën e Flamurit të gjithë shqiptarëve.
“Urimin e parë të kësaj dite të Festës së Flamurit ia bëmë Presidentes së Kosovës. Ditë me diell e atmosferë festive. Gëzuar të gjithëve!”, shkruan Rama.
Një ditë më parë, Rama ishte në varrezat e Familjes Jashari, në Prekaz.
“Varrezat e dëshmoreve të familjes Jashari të transformuara përmes një projekti ambicioz në një vepër të bukur urbane. Homazhe emocionuese”, shkruan Rama.
Gjithashtu kreu i PS ka vizituar edhe shtëpinë e babait të Ramush Haradinajt.
“Vizitë në shtëpinë e babait të Ramushit ku uruam Festën e Flamurit dhe i’u gëzuam një mikpritjeje të veçantë”, thotë Rama në rrjetin social Twitter.
Të shtunën, ndërkaq, Rama ka promovuar librin e tij të fundit “Kurban”. Në Muzeun e Kosovës ai ka mbledhur dhjetëra adhurues të librit. Shumica nga ta, kanë dalë nga Muzeu me librin e kreut socialist në duar.