E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi e Abdixhiku takojnë Osmanin: Mandatimi sërish i LVV për qeverinë, thellim i krizës

PRISHTINË, 4 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, janë takuar pasditen e sotme me presidenten Vjosa Osmani.

Këtë e kanë konfirmuar për KosovaPress, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, si dhe zëdhënësi, njëherësh deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

Në PDK thanë se Krasniqi ia ka përsëritur qëndrimin e qartë të PDK-së se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e qeverisë së re nga legjislatura e nëntë.

Mustafa tha se Abdixhiku ia ka paraqitur presidentes Osmani pozicionin e LDK-së në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.

Lëvizja Vetëvendosje të martën ka propozuar për mandatar për kryeministër, Glauk Konjufcën, pas dështimit të Albin Kurtit për ta formuar qeverinë më 26 tetor.

Sipas PDK-së, çdo mandatim i radhës për këdo nga LVV-ja do të ishte vetëm përpjekje e kotë për të fituar kohë.

“Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka deklaruar për KosovaPress Abdullahu.

KosovaPress ka kontaktuar edhe me Zyrën e Presidencës për të marrë më shumë informacion mbi këto takime, por nuk ka marrë përgjigje.

Më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani, duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›