Krasniqi e Cana çajnë hallet
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, të mërkurën, ka pritur futbollistin kosovar, Lorik Cana, i cili ishte i shoqëruar nga babai i tij Agimi. Ministri Krasniqi e përgëzoi futbollistin e kombëtares shqiptare për sukseset që ka arritur deri tash, duke e quajtur atë si një nga ambasadorët më të mëdhenj të Kosovës. Ai tha se suksesi që ka arritur Cana i ka bërë krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Me theks të veçantë, ministri në këtë takim ka folur për sfidat që ka sporti kosovar e në veçanti futbolli. Ai potencoi se ka shumë probleme, por shtoi se nga ai personalisht dhe të gjitha institucionet po bëhen të gjitha përpjekjet që të ketë përmirësim të dukshëm. Ministri foli për investimet që janë duke u bërë dhe për planet në të ardhmen në këtë aspekt.
Krasniqi kërkoi nga Cana që ta shfrytëzojë ndikimin e tij, me qëllim të avancimit të sportit të Kosovës. Me këtë rast, ministri i ofroi atij mbështetjen e plotë në mënyrë që sfidat të tejkalohen më lehtë dhe më shpejtë.
Nga ana tjetër, futbollisti i Galatasarayt falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e madhe të treguar për bashkëpunim. 27 vjeçari foli për format në të cilat mund të koordinohen punët dhe premtoi se nuk do të ndalet së angazhuari që, më ndikimin e tij, të avancojë futbollin e Kosovës.