E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Çështja e Kosovës lindi nga padrejtësia historike e vitit 1913

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili në krye të një delegacioni parlamentar po qëndron në vizitë zyrtare në Austri, mbajti mbrëmë një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës, në temën: “Pavarësia e Kosovës dhe zhvillimet aktuale të saj”. Kryekuvendari edhe në Vjenë ka theksuar se çështja e Kosovës lindi nga padrejtësia historike e vitit 1913, kur gjysma e kombit shqiptar dhe e territorit të tij, me dhunë iu aneksua Serbisë e më vonë Jugosllavisë.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve kryekuvendari Krasniqi kujtoi se më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë, si shtet sovran dhe demokratik, duke mbyllur kështu kapitullin tragjik të robërisë e të gjenocidit, të terrorit e shfarosjes sistematike të popullsisë, të shfrytëzimit kolonial dhe të shtypjes së lëvizjeve të pareshtura çlirimtare.

“Po bëhen katër vjet që vendi im nga një vatër potenciale e krizave të rrezikshme, u kthye në një faktor paqeje e stabiliteti rajonal. Çështja e Kosovës lindi nga padrejtësia historike e vitit 1913, kur gjysma e kombit shqiptar dhe e territorit të tij, me dhunë iu aneksua Serbisë e më vonë Jugosllavisë, me të cilat nuk e lidhte asgjë përveç zinxhirëve të robërisë”, është shprehur Kasniqi në Vjenë.

Ai theksoi se lufta e përgjakshme çlirimtare e viteve 1998-99, popullit të Kosovës i kushtoi mbi 15.000 jetë njerëzish, duke përfshirë civilë, fëmijë, pleq dhe gra, rreth 120.000 shtëpi të djegura, deportim të më shumë se gjysmës së popullsisë dhe dëme të pallogaritshme ekonomike e materiale.

Ai tha se forcat e rregullta ushtarake e policore serbe si dhe ato paramilitare, dhunuan dhjetëra mijë gra e vajza shqiptare, kurse Kosova edhe dymbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës, kërkon mbi 1800 persona të kidnapuar dhe zhdukur nga forcat serbe.

Duke dhënë detaje për procesin e zgjidhjes së statusit, Krasniqi tha se Kosova përbën një sui generis ndërkombëtar, për shkak të historisë së saj, për subjektivitetin shtetëror tradicional të Kosovës, për shkak të shpërbërjes së Federatës jugosllave, ku bënte pjesë dhe për shkak të gjenocidit që ka ushtruar regjimi i Milosheviqit në këtë hapësirë.

“Kosova ka popullsinë, territorin e kufijtë ndërkombëtarë dhe institucionet shtetërore të zgjedhura, si dhe mjetet demokratike për të mbajtur rendin”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi ka thënë se Kosova tani respekton e mbron të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtat e pakicave, parimet e demokracisë parlamentare, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut.

Ai gjithashtu ka thënë se ka ardhur koha e qartësimit të hapave të Kosovës drejt integrimit evropian dhe fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Krasniqi ka përmendur edhe premtimin e BE-së për fillimin e shpejtë të dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, marrëveshjet tregtare, mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në BERZH dhe përfitime të tjera të mundshme nga programet e BE-së.

Sipas Krasniqit, Kosova është në proces të forcimit të sundimit të ligjit, ndërsa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është kthyer në një nga prioritetet e para të Kosovës, për të pastruar rrugën drejt një shteti të vërtetë ligjor, demokratik dhe të integruar në Evropën e Bashkuar.

Në përmbyllje të fjalimit, Krasniqi ka kërkuar nga austriakët që të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në procesin e shtet ndërtimit demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar e të integrimeve euroatlantike. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›