KIPRED propozon një zonë zgjedhore dhe lista të hapura

KIPRED ka analizuar me hollësi ndryshimet e propozuara deri tani dhe ka studiuar ndikimin që këto ndryshime do të kishin në tërë procesin e zgjedhjeve, duke përfshirë ndryshimet që do të bëheshin në përbërjen e Kuvendit të Kosovës, në përfaqësimin rajonal, në numrin e votave për zgjedhjen e një deputeti dhe pragun për të hyrë në Kuvend. Nga këto studime, që prezantohen në raportin më të ri të KIPRED-it “Modelimi i Kosovës me zona zgjedhore”, KIPRED ka nxjerrë rekomandimet e veta që ia ka përcjellë Komisionit për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Modelimi që ka bërë KIPRED tregon se ndarja e Kosovës në disa zona nuk do të ndikojë në mënyrë thelbësore në përbërjen e Kuvendit. Deri sa kjo do të siguronte një përfaqësim të rajoneve në Kuvendin e Kosovës, në të njëjtën kohë kjo do të bënte të pabarabartë garën për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, pasi do të ndryshonte pragu për deputetë në zona.
Dita Dobranja, nga Instituti KIPRED, duke prezantuar hulumtimin për zonat zgjedhore, tha se KIPRED rekomandon që listat të jenë të hapura dhe që pragu për të fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës të jetë natyral. Sipas saj, kjo do të sigurojë përfaqësim më të drejtë të të gjitha grupeve, apo edhe individëve dhe do të hapte zgjedhjet për aktorë tjerë, përveç partive të mëdha që dominojnë skenën politike në Kosovë.
“Ne po mendojmë qe ne bazë te hulumtimeve që i kemi bërë, Kosova të jetë me një zonë zgjedhore. Listat duhet të jenë të hapura dhe pragu me qenë natyral, do të thotë pragu me qenë natyral do me qenë 1 për qind. Sipas këtyre rekomandimeve tona, nëse aplikohen këto dispozita, arritët që mundësia që partitë më të mëdha, mos të favorizojnë ndaj atyre më të vogla, ose me iniciativa qytetare, në mënyre që të mos ketë një parti sukses më të madh në një zonë dhe pastaj të favorizohet”, tha Dobranja.
Si ndryshim më i rëndësishëm, sipas KIPRED-it, është që votuesit të kenë vetëm një votë, në vend se të kenë 10 si në vitin 2007, apo 5 si në vitin 2010. Dobranja, thotë se gjatë hulumtimit është konstatuar se nëse votuesit kanë vetëm një votë, atëherë ata do të kenë mundësi që të zgjedhin përfaqësues të tyre rajonal, që do t’i përfaqësojnë ata në Kuvendin e Kosovës. Ajo konsideron se votimi me 5 vota ka qenë edhe një prej “instrumenteve” kryesore për të keqpërdorë votën në zgjedhjet e vitit 2010 dhe heqja e kësaj mundësie, do të heqë automatikisht edhe mundësinë për keqpërdorim me votat e votuesve.
“Ne kemi arritur në përfundim që fillimisht KIPRED propozon që vota të jetë ‘një votues një votë’, do të thotë të votohet për një kandidat, për një parti. Sidoqoftë në opinion kemi parë që ka mendime të tilla që duhet me 1 plus 1, për liderin e partisë dhe pastaj me u votu edhe për një kandidat tjetër, që edhe kjo kish me qenë e pranueshme për ne. Mirëpo me rëndësi është që personi të jenë në gjendje që të votojë personin që donë brenda një liste, e jo me i pas 5 ose 10, siç ka qen ma herët”, ka thënë Dobranja.
KIPRED vlerëson se këto janë ndryshimet më të lehta dhe më të dobishme që do të siguronin proces më të mirë e më të drejtë të zgjedhjeve në Kosovë.
Ndërkaq, subjektet politike ditë me parë kanë dale me qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket zonave zgjedhore, për të cilën çështje Vetëvendosja ka kërkuar që të jetë vetëm 1 zonë, AAK-ja propozon 100 zona zgjedhore, PDK-ja ndërkaq propozon 6 zona dhe LDK-ja 10 zona e më tepër. Qëndrime të dallueshme, subjektet politike kanë edhe për listat dhe për pragun zgjedhor, megjithatë ishin pajtuar që kuota gjinore të mbetet.
Instituti KIPRED, llogaritet të jetë një nga monitoruesit kryesorë të sistemit zgjedhor në Kosovë. /kp/