Kallëzimet e Thaçit
Express: Një vit më parë ju ishit në thumb të akuzave për manipulime në procesin zgjedhor dhe njëkohësisht mbi ju rëndonte Raporti i Dick Martyt. Sot këto dy çështje duket se janë harruar, por tash aktuale është çështja e liberalizimit të vizave. Opozita ju akuzoi se nuk e mbajtët premtimin...
H. Thaçi: Ky vit ka qenë vit i suksesit të plotë, i një suksesi historik, i një kapitulli të ri, kapitullit të Kosovës europiane. Për herë të parë, Kosova ka fituar agjendën konkrete europiane në mënyrën më meritore të mundshme; dialogun për liberalizim të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe për anëtarësimin në BERZH. Para një viti kemi kaluar nëpër një krizë institucionale, të provokuar pas vendimit të njëanshëm për zgjedhje nga ish-partneri i koalicionit. Zgjedhjet u përcollën me një vlerësim pozitiv, por edhe më lëshimet që ndodhën e të cilat u përmirësuan me votimet e përsëritura në tri regjione. Zgjedhjet patën një fitues të qartë, e pastaj ndodhi në mënyrë krejt të paarsyeshme vonesa në krijimin e institucioneve. E këtu kanë përgjegjësi të gjitha partitë. Mund të them lirisht se për këta 7-8 muajt e fundit kemi bërë hapa të mëdhenj në agjendën tonë europiane.
Express: Megjithatë, premtimi juaj, se 15 muaj pasi që ta merrni mandatin e Kryeministrit qytetarët kosovarë do të lëvizin lirshëm në zonën e Schengenit, tashmë është i papërmbushur?
H. Thaçi: Premtimi im ka qenë shumë i qartë. Udhërrëfyesi do të fitohet për 15 muaj, ndërkohë që kjo është fituar për 9 muaj. Kështu që është një implementim rekord i përmbushjes së premtimit. Tash se sa do të marrë kohë ky proces, varet nga Qeveria, Parlamenti dhe institucionet lokale. Por, jam optimist se e gjithë lista e kërkesave të BE’së do të plotësohet në kohë rekord.
Express: Pavarësisht se krerët e Unionit Europian i hapën rrugën Kosovës për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave dhe avancimin në çështjet tregtare, askush nuk përmendi ndonjë afat se kur mund të realizohen këto. Afate nuk keni dhënë as ju. Duket se do të presim gjatë...
H. Thaçi: Definitivisht në Kosovë ka nevojë për një fushatë edukative për procesin integrues europian, në kuptimin edhe të politikës, shoqërisë civile, mediave... Duhet kuptuar qartë se çfarë është vendimi politik dhe çfarë është implementimi. Vendimi politik është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, një vendim ky unik për katër çështjet për Kosovën. Kjo është konfirmuar edhe në takimin e krerëve europianë. Diçka e tillë më është konfirmuar edhe mua në takimet që kam pasur në Bruksel. Kemi edhe letra zyrtare për këtë, si nga Presidenti Rompuy, por edhe nga Baronesha Ashton. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund t’ua imponojmë agjendën atyre, as atë se kur do vjen në Kosovë Komisionerja Malmstrom apo dërgimin e delegacionit tonë atje. Kryesore është se vendimi është marrë në dhjetor dhe tash çështjet teknike do të harmonizohen ditëve të ardhshme. Siç dihet, në Bruksel askush nuk punon nga 20 dhjetori deri më 5 janar. Se a do të ndodhë më 17 apo 18 janar, është çështje që do të vendoset nga ekspertët apo niveli teknik.
Express: A do të ndiqeni nga afatet, a keni afate të qarta?
H. Thaçi: Natyrisht, tani ekipet e ekspertëve do të ulen dhe do të diskutojnë agjendën për vitin e ardhshëm. Unë jam i bindur se komplet listën e prioriteteve që do të kërkohet nga ne, do ta plotësojmë në afat rekord. Bile, me disa standarde jemi përpara. Nuk ka kriter që mund të na sfidojë, por lypset një angazhim i të gjitha institucioneve.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...