E Shtunë, 31 Tetor 2026

40 për qind e të rinjve në shkollë tymosin

Nga Express më 15 qershor 2011 në ora 20:00

Rreth 40 për qind e të rinjve në shkollë tymosin duhan. Kjo shifër vjen sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare që merren me vetëdijesimin e të rinjve për pasojat e duhanit.

Ledri Thaqi, nxënës i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, mendon se pirja e duhanit është një temë që duhet të diskutohet. Sipas tij duhani pihet prej nga mosha 14 vjeçare apo edhe më herët.

“Kjo temë i preokupon fëmijët dhe të rriturit. Duhani pihet nga fëmijët, gjë që duhet të ndalohet gjithsesi. Një nga hapat që duhet të ndërmerren janë duke i paralajmëruar ata për efektet negative që shkakton duhani në trupin e tyre. Mirëpo, ata nuk e dinë se efektet mund të shfaqen pas disa vitesh. Mënyra më e mirë për ta parandaluar dhe për t’i informuar ata se sa e dëmshëm është dhe duke ju treguar se ajo shkakton sëmundjet e mushkërive, astmës, goditjet në tru, e shumë të tjera”, shprehet Thaqi.

Organizata joqeveritare “rrjeti i edukatorëve bashkëmoshatar”, merret me promovimin e sjelljeve të shëndosha përmes të rinjve nga të rinjtë. Zanjeta Halimi, zyrtare në këtë organizatë, thotë se pirja e duhanit konsiderohet si sjellje e rrezikshme, sidomos nga nxënësit , duke e marrë parasysh që 5.4 milion njerëz në vjet vdesin prej duhanit. Andaj sipas Halimit, me kampanja të ndryshme mundohen që ti vetëdijesojnë nxënësit për pasojat e duhanit.

“Kemi filluar me këtë strategji sepse të rinjtë zakonisht i kanë model edhe shokët e tyre, që i imitojnë dhe e bëjnë një sjellje të rrezikshme. Një prej sjelljeve të rrezikshme kohëve të fundit është edhe pirja e duhanit. Mundohemi ti mësojmë për pasojat negative, se çka mund të bëheni nëse jeni duhan pirës aktiv, dhe të bëjmë kampanja të ndryshme, çoftë përmes kampanjave mediale apo broshurave, ku tregojmë se duhani dëmton shëndetin”, thotë Halimi.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se tymosja e duhanit është e dëmshme për secilin, por tek të rinjtë dëmet janë më të mëdha. Skënder Syla, udhëheqës i kësaj organizate, thotë se mënyra e vetme e shmangies së pirjes së duhanit nga të rinjtë brenda objekteve shkollore, është zbatimi 100 për qind i ligjit kundër duhanit.

“Tek ne fatkeqësisht tymoset duhani nëpër shkolla, qoftë nëpër hapësira të ndara brenda shkollave. Kjo ndodh edhe tek arsimtarët, por edhe nga vetë nxënësit. Andaj ne si OBSH, rekomandojmë fuqimisht që ligji për duhanin të zbatohet 100 për qind në mënyrë, që të mos ketë asnjë hapësirë brenda objektit shkollor, ku pihet duhani”, thekson Syla.

E shefi i inspektoratit sanitar të Kosovës, Ibrahim Tershnjaku, thotë se Inspektorati sanitar, së bashku me inspektoratit të arsimit, ka bërë një aksion të përbashkët për ti dhënë një urdhëresë me shkrim gjitha drejtorive në mënyrë që të ndalohet duhani brenda objekteve shkollore.

“Pas kësaj urdhërese kemi parë një hap pozitiv në këtë aspekt. Pas kësaj urdhëresë, ne do të bëjmë një ri inspektim nëpër objektet shkollore dhe do të shohim se cilat drejtori të shkollave kanë lejuar kolegët e tyre të pinë duhan brenda objekteve shkollore. Aty do të shohim se si do të vetëdijësojmë edhe këtë strukturë të shoqërisë, më të cilin është një ndër elementet më negative, nëse flasim për një edukim të brezit të rinj” tregon Tershnjaku.

Sipas të dhënave nga hulumtimet e bëra nga organizata joqeveritare në shkollat e mesme pihet duhani më shumë, nga vetë mësimdhënësit por edhe nga nxënësit. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›