E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi kërkon nga Kuvajtit kredi të buta

Në kuadër të vizitës në Kuvajt, delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari Jakup Krasniqi, është pritur sot në Fondin e Kuvajtit për Zhvillim. Drejtori i përgjithshëm i Fondit, zoti Abdulwahab A. Al-Bader, e njoftoi delegacionin për Fondin dhe veprimtarinë e tij shumëvjeçare.

Kryeparlamentari Krasniqi, pasi i ka njoftuar mikpritësit për gjendjen në Kosovë, ka paraqitur nevojat e shumta zhvillimore që ka Kosova, sidomos në fushë të bujqësisë, energjetikës, infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit, për të cilat i kërkoi Fondit kredi të buta dhe afatgjate zhvillimore.

Sipas një njoftimi të Zyrës për Informim të Kuvendit, drejtori i Përgjithshëm i Fondit, shprehu mirëkuptim të plotë me kërkesat e Kosovës dhe kërkoi hartimin e projekteve përkatëse për to.

Të dy palët u akorduan që në vijim lidhjet dhe komunikimi i Fondit të bëhen me dikasteret përkatëse të qeverisë së Kosovës, me qëllim të fillimit menjëherë të procedurave të mbështetjes.

Në përbërje të delegacionit parlamentar të Kosovës janë edhe anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti, Naim Maloku e Ibrahim Gashi, shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për protokoll, Skënder Reçica. Sot delegacioni përfundon vizitën zyrtare në Kuvajt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›