E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi kritika për marrëveshjet me Serbinë

PRISHTINE- Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga disa elemente të shtetësisë, në momentin kur ka marrë zotimin për të respektuar konkluzionet që kanë dalë nga tri marrëveshjet me palën serbe, të cilat janë arritur fundjavën e kaluar në Bruksel.

Këtë konstatim e ka nxjerrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë ekskluzive për ‘Kohën Ditore’, vetëm pak çaste pasi ka lexuar konkluzionet e ndërmjetësit të BE-së, Robert Cooper.

Në intervistë, Krasniqi ka thënë se pala vendase nuk duhet të kishin pranuar që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi, pa pasaportat që mbajnë mbishkrimet e Republikës së Kosovës, ashtu sikurse nuk është dashur të pranonte që kufiri mes dy shteteve, të cilësohet si ‘kufi administrativ’.

Njeriu që udhëheq Kuvendin e Kosovës, e ka cilësuar të papranueshme edhe marrjen e fotokopjeve të regjistrave civilë në vend të origjinaleve.

Sipas tij Kosova i ka pasur origjinalet e këtyre regjistrave, qysh kur ka qenë krahinë autonome në kuadër të ish-Federatës Jugosllave, kështu që edhe BE-ja është dashur të bënte presion mbi Serbinë që t’ia kthente ato pronarit legjitim.

Krasniqi e ka thënë hapur se shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri është treguar e papërgjegjshme në raport me obligimet që i ka ndaj Kuvendit dhe Presidencës, për t’i informuar me rrjedhën e bisedimeve.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›