Doli “Bllaca” 2?
Portali LajmeShqip.com ka publikuar një audioincizim të shtatë vjetëve më parë, të dëshmisë që Fahrudin Gashi – Faruku e kishte dhënë për Prokurorinë e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur.
Sipas dy pjesëve të audios të publikuar nga ky portal ku dëgjohet zëri i hetuesve dhe i personit që veten e identifikon si Fahredin Gashi, Portali sqaron se përkundër faktit që “Faruku” është dëshmitar i mbrojtur i Tribunalit, mendohet se videoregjistrimi amator mund të jetë bërë fshehur nga ana përfaqësuesit hetues të Zyrës së Prokurores së Hagës, gjatë intervistimit të tij, më 21 janar të vitit 2004, në bazën finlandeze të KFOR-it, në Lypjan.
“Në vitin 1996 kam filluar një shoqëri me zv/komandantin e policisë serbe në Shtime më pas me vetë komandantin, Dragan Gjorgjeviq”, dëgjohet të thotë Fahredin Gashi në dëshminë e tij.
Për këto raporte ai dëshmon se ka pasur pas luftës në Kosovë probleme të vazhdueshme me individë të UÇK-së. Nga tërësia e një incizimi shumë më të gjatë të intervistimit të Fahrudin Gashit nga hetuesit e Tribunalit, ky portal sqaron se ka publikuar vetëm dy prej të tyre. Videoja e parë, prej pak më shumë se 13 minutash, pasqyron pjesën hyrëse të bisedës, ku bëhen prezantimet reciproke dhe në të cilën hetuesi ia tregon kushtet e intervistimit Fahrudin Gashit dhe dakordimin e këtij të fundit, për t’u intervistuar.
Ndërkaq, videoja e dytë përmban një pjesë të dëshmisë së Fahrudin Gashit, rreth angazhimeve dhe implikimeve të tij të paraluftës, gjatë luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Ai tregon se si para luftës ka qenë një biznesmen i suksesshëm dhe se nuk ka pasur asnjë problem ndonjëherë me regjimin (serb) në Kosovë, por përkundrazi, sipas tij, ka qenë bashkëpunëtor i mirë i tij dhe, në të njëjtën kohë, aktivist i Forumit Rinor të LDK-së. Gjatë luftës, thotë Gashi, jam përpjekur të ndërtoj raporte të mira me UÇK-në dhe të gjejë mirëkuptimin e tyre, kurse pas luftës, për një kohë, ai, siç dëshmon vetë, ka qenë veprimtar i PDK-së e më pas e ka braktisur edhe atë.
Sipas Gashit, ai në PDK ka qenë vetëm deri në vitin 2002 dhe tash (në momentin e intervistimit viti 2004) nuk është anëtar i asnjë partie. “Asnjëra parti nuk bëri gjë për mua dhe unë nuk qëndrova më në to, as PDK e as LDK”, dëgjohet të thotë Fahrudin Gashi. “Faruku” siç shpjegon ai në incizim, emrin e tij të dytë siç e kanë thirrur të gjithë që nga fëmijëria, dëshmon se ka pasur miqësi të mirë me policinë serbe në Shtime, dhe nga ajo kohë ka bartur revole me leje dhe gjithmonë ka qenë i privilegjuar i policisë serbe.
Ai thotë se ka edhe sot kontakte me ish-policinë serbe në Kosovë, dhe me ta flet çdo ditë, duke ruajtur raporte tregtare e shoqërore dhe se ata e vizitojnë edhe sot në shtëpi. Sipas këtij incizimi, Fahredin Gashi thotë se me UÇK-në, u lidh në vitin 1998, në Krojmir, si furnizues i tyre me vegetë, me qëllim që të ndërtojë raporte të mira edhe me ta dhe të jetë më i qetë në punën e tij. Ky portal sqaron se dy incizimet e publikuara, janë pjesë e një serie dhe faktesh të tilla që i posedon, në të cilat Fahrudin Gashi – Faruku, dëshmon për angazhimet dhe relacionet e tij, të gjitha këto periudha, para lufte, gjatë dhe pas lufte, me policë e ish policë serbë dhe, në të njëjtën kohë, si bashkëpunëtor i shumëfishtë, siç dëshmon vetë ai, me UÇK-në dhe partitë shqiptare para dhe pas luftës në Kosovë.(lajmeshqip.com)