E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi mposht Siposin

Boksieri kosovar, Haxhi Krasniqi, ka mposhtur gjermanin Alexander Sipos, në duelin e kategorisë gjysmë të rëndë, i cili u zhvillua të shtunën mbrëma në qytetin gjerman Munchen.

Boksieri me prejardhje nga Juniku ishte bindshëm më i mirë se kundërshtari. 22 vjeçari meçin e fitoi me nokaut teknik në raundin e shtatë, kundër një boksieri i cili vlerësohet lartë në Evropë.

Alexander Sipos nuk arriti ta rrezikojë asnjëherë Krasniqin, i cili festoi fitoren e 31-të dhe padyshim më të rëndësishmen në karrierën e tij, në boksin profesionist.

Po në këtë mbrëmje, kishte edhe tre duele tjera ku boksuan boksierë shqiptarë. Fitore në meçet e tyre shënuan edhe boksierët e ri Shendrit Hotjani, Armand Cullhaj dhe Burim Gjocaj.

Ndërsa, në të njëjtën kohë, në Cuxhaven të Gjermanisë, u realizua edhe një meç tjetër ndërmjet boksierit profesionist shqiptar, Petrit Dobroshi dhe Jevgenijs Kiselevs.

Dobroshi arriti ta rrëzojë kundërshtarin dy herë në dysheme dhe e kishte demoluar tërësisht, dhe e mori një fitore të bindshme me poenë pas 6 raundeve.

Ky ishte dueli i parë për Petrit Dobroshin nën ngjyrat e klubit më të ri gjerman “Plus One Promotion”, të themeluar nga kampioni i botës, Felix Sturm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›