E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamren lavdëron Bajramin

Emir Bajrami ka lënë përshtypje të mira, në debutimin e tij për përfaqësuesen e Suedisë. Mesfushori kosovar, me pasaportë suedeze tregoi paraqitje të mira ndaj Omanit dhe të shtunën kundër Sirisë.

Selektori i Suedisë, Erik Hamren, për herë të parë e ka lavdëruar edhe zyrtarisht futbollistin e Elfsborgut. Mediat suedeze e shohin Bajramin mjaft afër Kombëtares A të Suedisë, dhe një gjë të tillë nuk e ka përjashtuar as selektori Hamren.

“Ishte një test mjaft i mirë ky. Bajrami luajti mjaft mirë kundër Omanit, por jo sikur ndaj Sirisë. Ai është futbollist interesant. Luan tek U21 e Suedisë, por është mjaft emocionues dhe ekscitues”, tha Hamren për uebfaqen Aftonbladet.se.

“Ai luajti në të dyja ndeshjet. Tash, ne e pamë se kush do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme ndërkombëtare. Por, për momentin nuk mund ta them nëse do të jetë edhe ai, pasi ka kohë”, shtoi ai, duke folur për ndeshjen kundër Uellsit, që zhvillohet me 3 mars, ku megjithatë do të grumbullohen edhe futbollistët suedezë që luajnë jashtë vendit.

Mediat suedeze, ditëve të fundit shkruanin se vlera e Bajramit është ngritur në rreth pesë milion euro, por kosovari nuk dëshiron ta ekzagjerojë. Ai mendon se vlen sa gjysma e kësaj shume.

“Kam dëgjuar edhe unë, por nuk është e vërtet. Mendoj se rreth tre milion euro do të ishte vlera e arsyeshme. Mirëpo, është Elfsborg ai që vendos e jo unë. Nëse marr një ofertë të mirë, nuk besoj se Elfsborg do më ndalojë. E di se nuk do më lëshonin për një milion euro, por diçka duhet të lëviz”, theksoi 21 vjeçari.

Bajrami, i cili kundër Sirisë luajti 69 minuta, ishte njëri nga tre futbollistët që e kishin mundësinë që të luanin nga minuta e parë, në dy ndeshjet miqësore kundër Omanit dhe Sirisë.

Mesfushori i majtë tregoi paraqitje mjaft të mira, në të dyja këto përballje. Për këtë, mediat suedeze e shohin më afër Kombëtares A të vendit skandinav.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›