E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uliksi i Arteve Marciale

Uliks Gjonaj është shqiptari i vetëm i cili ka diplomuar si instruktor në Commando Krav Maga (CKM), sistem izraelit për luftë të afërt trupore. Këtë sukses ai e ka arritur në New York, në vitin që e lamë pas.

“Në muajin gusht të vitit 2009 jam diplomuar si instruktor në CKM. Jam shqiptari i vetëm deri më tani që kam diplomuar dhe licencuar si instruktor në këtë sistem, i cili është më i përsosuri për trajnim të policisë dhe ushtrisë. Kam diplomuar së bashku me marinsa amerikanë”, deklaroi Gjonaj për Express.

“Për ta fituar titullin e instruktorit në CKM duhet të kesh njohuri dhe eksperiencë të konsiderueshme në artet marciale. CKM ka sisteme shumë efektive dhe kërkon të kesh edhe njohuri psikologjike”, tregoi ai.

CKM është sistem luftarak, që në vete përmban edhe shkathtësi luftarake, me çka nënkuptohet se gjatë luftimit të afërt kundërshtari lehtë mund të neutralizohet, pavarësisht se sa i fortë mund të jetë ai.

Ky sistem në vete përmban tri sporte luftarake: Jiu-Jitsu, boks dhe mundje. Uliks Gjonaj tregon se shumë ekspertë botërorë kanë konstatuar se CKM është sistemi më shkatërrues në luftën e afërt.

Motoja e CKM-së është: “Nuk jetoj për të luftuar, por luftoj për të jetuar!”. Gjonaj thotë se CKM ka etikën dhe rregullat e veta, dhe ata që trajnohen do të mësojnë se si evitohet rreziku që të kanoset.

“Ata që trajnohen në CKM do të mësojnë se si t’i shmangen rrezikut. Mund të del përpara një njeri i armatosur dhe shumë i nervozuar. Atij nuk duhet t’i afrohesh me forcë dhe arrogancë, sepse mund ta humbasësh jetën. Por, në CKM mëson se si fillimisht duhet ta qetësosh atë, dhe më pas të dalësh triumfues. CKM e ka etikën e vetë, dhe sipas saj, përdorimi i forcës është opsioni i fundit që mund ta bësh”, shpjegoi ai.

Gjonaj pohoi se CKM përdoret edhe në trajnimet e policive më të specializuara të shteteve të ndryshme, si në njësinë policore amerikane SWAT, në policitë speciale të Anglisë, Gjermanisë, Francës, etj.

Sipas Gjonajt, edhe Policia e Kosovës ka nevojë të ketë sadopak njohuri për CKM dhe për këtë arsyeje ai ka shprehur gatishmërinë e tij që t’i sjell përvojat e tij tek policia kosovare. Një gjë të tillë Gjonaj tha se do ta bëjë edhe tek Policia e Shqipërisë.

“Unë kam biseduar me Drejtorinë e Policisë në Tiranë dhe ata kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me mua. Unë punoj edhe me policitë e vendeve të ndryshme ndërkombëtare, por më me kënaqësi të veçantë do të punoja me Policinë e Kosovës. Natyrisht, oferta duhet të jetë serioze”, tha Gjonaj, i cili punon me shumë kompani të ‘Security’ nga vendet e ndryshme, me polici private, dhe organizata tjera.

Vlen të theksohet se Uliks Gjonaj, pasi është licencuar si instruktor në CKM, nga Amerika është transferuar në St. Gallen, Zvicër, ku ka hapur Akademinë e Arteve Luftarake, udhëheqës i së cilës është edhe sot. Kjo akademi është e licencuar nga American Kenpo Karate për Zvicër dhe Evropë.

Titulli instruktor i CKM-së është vetëm njëri ndër të shumtët që i ka fituar Uliks Gjonaj. Gjakovari 31 vjeçar, fillimisht kur kishte shkuar në Amerikë në vitin 2004, ishte trajnuar në Akademinë Luftarake Amerikane.

Pas një viti, Gjonaj ka kaluar në Teksas, në Akademinë Luftarake të sistemit më të ri në botë, American Kenpo Karate, tek Chief Roman, i cili ka qenë protagonist i filmit “Texas Ranger” me yllin e Hollyvudit, Chuck Norris. Në këtë Akademi, Gjonaj specializohet dhe diplomohet me 2 Dan, si instruktor i Amerikan Kenpo Karate dhe Kenpo Warrior.

Në vitin 2009, Gjonaj certifikohet në New York edhe si instruktor në vetëmbrojtje (Self Defense). Me këtë rast ai është bërë edhe anëtar i Asociacionit Kombëtar Sportiv të Amerikës. Po në vitin 2009, Uliks Gjonaj është certifikuar si Master në sistemin e Jiu-Jitsu.
Për të gjitha këto disiplina Gjonaj tani organizon trajnime dhe seminare në gjithë botën.

Ai tregoi se trajnimet në këto fusha janë elitare dhe shumë të shtrenjta. Gjonaj tha se gjithmonë lindin disiplina të reja të kësaj sfere, dhe se ai vazhdimisht është pjesë e trajnimeve të reja.
Kjo është rruga e jetës së tij. Ai është i lumtur për këtë.

Commando Krav Maga

Commando Krav Maga (CKM) konsiderohet si sistemi më i suksesshëm luftarak në botë. I themeluar nga Moni Azik, ish Komando Elite i Forcave Speciale të Izraelit, Commando Krav Maga është sistem i cili mundëson luftimin e suksesshëm në betejat më brutale. Filozofia e këtij sistemi e potencon neutralizimin e rrezikut dhe manovrimet e njëkohësishme të mbrojtjes dhe sulmit. Ai shfrytëzohet nga Ushtria Amerikane, SWAT, FBI, NYPD, Mossad, etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›