Barça përrallore, në historinë e La Ligas
Katalanët
Skuadra e Guardiolës e mbylli fazën e parë pa humbje, lojtarët kundër huazimit të Robinjos
Barcelona nuk njeh rivalë në kampionat. Katalanët e mbyllën fazën e parë të La Ligas me fitoren 3-0 në fushën e Vajadolid, një sukses që i ka bërë “blaugranat” pjesë të historisë së futbollit spanjoll: deri më tani, vetëm katër skuadra (Atletik Bilbao, Espanjol, Real Madrid dhe Real Sociedad) kishin arritur ta përfundonin gjysmën e parë të edicionit pa pësuar humbje. Lionel Mesi dhe yjet e tjerë të Barçës kanë regjistruar 15 fitore dhe katër barazime në 19 javë të luajtura: ata kanë në total 49 pikë dhe kanë realizuar 49 gola. Me rrjeta të Ksavit, Dani Alvesh dhe Mesit (goli numër 102 me katalanët), skuadra e Pep Guardiolës nuk e kishte aspak të vështirë të merrte tri pikët.Gjithçka në radhët e skuadrës duket se funksionon më së miri dhe kjo është arsyeja përse yjet e Barcelonës i kanë kërkuar trajnerit që të mos i hapë “dritën jeshile” transferimit të Robinjos në “Kamp Nou”. Braziliani nuk ka arritur të përshtatet me Mançester Sitin, ku çështjet disiplinore janë problemi kryesor. Ndër të tjera, ai e ka pasur të vështirë të paraqitet në formë të mirë fizike, madje nuk ka shënuar asnjë gol në këtë pjesë të parë të sezonit. Kjo ka nxitur spekulimet në mediat britanike, se Robinjo do të transferohet në formë huazimi te Barça deri në fund të sezonit. Megjithatë, lojtarët kryesorë si Karles Pujol e Ksavi i kanë thënë trajnerit se afrimi i brazilianit rrezikon të prishë harmoninë në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë, trajneri i “sitizëns”, Roberto Mançini, duket se shpreson që spanjollët të marrin Robinjon, pasi ai do të pëlqente që në këmbim të afronte në skuadër talentin Bojan Krkiç.
#