Krasniqi nuk flet për opsionin Ahtisari Plus

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pret që vetëm të ketë ndonjë kërkesë zyrtare në mënyrë që të formulojë një qëndrim rreth kësaj çështje.
Ai ka thënë se derisa këto deklarata mbesin në kuadër të mediave, ai nuk mund të ketë ndonjë qëndrim.
“Unë mund të them që derisa kjo është për media dhe ne zyrtarisht nuk kemi një kërkesë të kësaj natyre ne nuk mund të marrim qëndrim. Ne nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare se duhet të bëhet një ‘Ahtisari Plus’, prandaj nuk na duhet të marrim qëndrim pa një material konkret”, ka thënë Krasniqi të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Krasniqi beson se çështja e veriut do të zgjidhet së shpejti dhe se procesi në këtë drejtim është duke vazhduar.
“Ajo çështje është në proces dhe procesi nuk ka përfunduar, kështu që ne mbesim me bindjen se ajo çështje do të zgjidhet”, ka thënë ai.
Ndërkohë, i pyetur nga Kosovapress për mungesën e tij në ceremoninë tradicionale “Darka e Lamës” të shtruar të premten nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Krasniqi nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.
Por ai ka mohuar të ketë ndonjë lidhje mes mungesë së tij dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ishin të vetmir që munguan në këtë darkë.