E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi nuk terhiqet EULEX te respektoje kushtetuten

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi nuk heq dorë përballë presionit të ndërkombëtarëve të cilët po kërkojnë me forcë miratimin e një rezolute nga Kuvendi për të kërkuar qartësim nga Gjykata Kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve nën hetim. Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, i ka sugjeruar EULEX-it, i cili po zhvillon këto hetime të respektojë Kushtetutën e Kosovës, e cila sipas tij parasheh qartë hapat që duhet të ndërmerren ndaj deputetëve që janë nën hetime.

  “Ka procedura që mund të zgjidhet kjo çështje. Qoftë duke amenduar ligjin për deputetët, nenin nëntë. Me një paragraf ku është saktësuar çështja e imunitetit të deputetëve. Mundësia tjetër është që përgjegjësia është individuale, nuk është kolektive. Prokurori i përgjithshëm me kërkesë, të kërkojë heqjen e imunitetit për deputetë të Kosovës ose të shkojmë në ekstremin tjetër, një grup deputetësh, apo grupet politike në kuvend të merren vesh për një rezolutë me të cilën vullnetarisht heqin dorë nga imuniteti që e kanë me ligj”-tha Krasniqi.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nuk ka komentuar nëse duhet t’u hiqet imunitetit deputetëve që janë nën hetime. Ai tha e vlerëson luftën e UÇK-së por i respekton edhe miqtë e Kosovës.

“Kosova vlerëson shumë luftën çlirimtare dhe njerëzit që kanë kontribuar në atë luftë. Ky është pozicion im”-tha ai.

Përfaqësuesit e institucioneve më të rëndësishme europiane dhe zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit kanë kërkuar nga Krasniqi që Kuvendi të mblidhet dhe të miratojë një rezolutë për imunitetin e deputetëve, por kjo formë po kundërshtohet ashpër nga kreu i Kuvendit. EULEX po heton disa deputetë për vepra të ndryshme penale, ndërsa ka edhe një urdhër arrest për deputetin Fatmir Limaj i cili nuk është zbatuar për shkak të imunitetit që gëzon ai.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›