E Diel, 1 Nëntor 2026

Police ne Kabul do te trajnojne homologet afgane

Qeveria shqiptare do të dërgojë këtë fundjavë drejt Afganistanit pesë ekspertë të policisë së shtetit në një mision trajnues të NATO-s. Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi flamurin shqiptar përgjegjësit të grupit të 5 oficerëve të policisë, Bardhyl Hënaj. Ekipi që do të niset drejt Kabulit është stërvitur në Francë, ndërkohë që në Afganistan do të jetë nën mbikqyrjen e forcave amerikane.

“Është  një rast të falënderoj policinë franceze, e cila kontribuoi në stërvitjen tuaj, qeverinë  e SHBA-ve, dhe forcat amerikane në Afganistan, nën ombrellën e të cilave ju shkoni dhe ushtroni veprimtarinë tuaj”-tha kryeministri Berisha.

Pesë oficerët shqiptarë do të qëndrojnë në Kabul për gjashtë muaj, ndërkohë që përgjegjësi i tyre thotë për “AS” sesi do të ndihmojë policia shqiptare homologët e tyre në Kabul.

“Ky ekip që do të vazhdojë edhe nga ekipe të tjera do të marrë pjesë në trajnimin dhe këshillimin e oficerëve afganë të të gjitha niveleve deri në nivelin e drejtorisë së përgjithshme të policisë. Kemi parasysh në trajnimin e të gjithë shërbimeve të policisë, në të gjitha shërbimet, qoftë ato kufitare qoftë edhe në shërbimet e ruajtjes së sigurisë, rendit”-tha Hënaj.

Të pranishëm në ceremoninë e përcjelljes së oficerëve shqiptarë ishin shefi i ekzekutivit, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Zv/ambasadorja e SHBA-së, Deborah Jones.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›