E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi sërish iu shmanget pyetjeve për marrëveshjen e arritur në Bruksel

Është dashur këmbëngulje nga ana e gazetarëve që të nxjerrin disa fjalë nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit.

Kabineti i Krasniqi ka këshilluar të hënën gazetarët që të mos bëjnë pyetje jashtë temës së takimit që kryeparlamentari kishte me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralin Kadri Kastrati.

Megjithatë, pas insistimit të mediave, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se marrëveshja nuk ka nevojë të trajtohet edhe nga Kuvendi i Kosovës, megjithatë u mbetet grupeve parlamentare nëse duan të kërkojnë që një çështje e tillë të futet në rend dite.

Me këtë rast, kreu i legjislativit të vendit nuk ka dashur të jap përgjigje nëse marrëveshja e arritur në Bruksel është konform Ligjit të Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit.

“Në radhë të parë marrëveshja sigurisht është bërë mbi bazën e një ligji që e kemi miratuar në Kuvend për menaxhimin e kufijve dhe nëse marrëveshja është në përputhje me ligjin që e kemi, nuk ka nevojë të vijë në Kuvend, sepse është çështje e ekzekutivit. Por varet edhe nga kërkesat, nëse grupet parlamentare bëjnë kërkesë për ta futur në rend dite në mbledhjet parlamentare, në jemi të gatshëm që ta bëjmë atë… Ju faleminderit. Nesër e kemi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe çështjet që kanë të bëjnë me Kuvendit i trajtojmë nesër në orën 12”, ka thënë Krasniqi.

Sidoqoftë, kreu i legjislativit ka bërë të ditur se deri tani nuk ka ndonjë kërkesë nga asnjë grup parlamentar që marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të shqyrtohet në seancën e Kuvendit si pikë e veçantë e rendit të ditës.

Ndërkohë, duke folur për FSK-në, Krasniqi ka thënë se kjo forcë ka pasur disa transformime deri tani, por të gjitha i ka kryer me sukses.

“Shpresojmë që me këtë punë që është duke bërë FSK-ja me komandantët dhe pjesëtarët tjerë të saj, viti 2012 do të shënojë suksese të reja dhe me dëshirën sigurisht edhe tonën, edhe të komandantit dhe gjithë FSK-së, por edhe qytetarëve të Kosovës, FSK-ja do ta merr vendin që meriton si ushtri i Republikës së Kosovës, e cila do të përballet me të gjitha detyrat dhe obligimet kushtetuese dhe ligjore, duke u barazuar edhe me forcat tjera të NATO-s që janë të gatshme të kryejnë operacione të suksesshme jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit sa herë që e kërkon nevoja”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkaq komandanti i ri i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati ka theksuar se FSK-ja është duke punuar shumë ngusht me KFOR-in dhe me shtetet e NATO-s, që Forca e Sigurisë së Kosovës të profesionalizohet dhe të ecë drejt realizimit të objektivave të veta.

Sa i përket ngritjes së kapaciteteve operacionale, gjeneral Kastrati ka rikujtuar rekomandimin që komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs ia ka drejtuar Këshillit Veriatlantik në Bruksel, ku ka thënë se FSK-ja është operacionale dhe është e gatshme që t’i kryej të gjitha operacionet bazuar në misionin që ka.

Por, kjo nuk do të thotë që FSK-ja mund të intervenojë edhe për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.

“KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në Kosovë dhe misioni ynë nuk është që të merret me barrikada dhe ne si detyrë e kemi çdo herë që t’i mbështesim institucionet e Kosovës edhe KFOR-in nëse kërkon ndonjë ndihmë prej neve”, ka thënë Kastrati.

Një prej objektivave të FSK-së për vitin e ardhshëm, sipas gjeneralit Kastrati është ngritja e disiplinës, profesionalizimit, ngritja e bashkëpunimit edhe më tutje me shtetet e rajonit, dhe çuarja e FSK-së drejt një ristrukturimi të ri në vitin 2013.

Aktualisht FSK-ja i ka gjithsej 2.246 pjesëtarë, ndërkaq nga janari i vitit të ardhshëm do të nisë kampanja e re për rekrutimin e pjesëtarëve të rinj, në mënyrë që të arrihen kapacitetet e kërkuara prej 2.500 pjesëtarësh./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›