E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasta:“LYNX” në Eurosong dhe Shqipëria nuk do skualifikohej

TIRANE-Këtë të martë të parafundit të sezonit të “A show” në “Vizion Plus”, Adi Krasta kishte të ftuar në këndin e muzikantëve grupin e rockerëve të rinj, “Lynx”. Endrik Beba si vokalist, Aurel Gjini në kitarë solo, Rei Sulejmani në bateri dhe Renato Rexha në tastierë kanë promovuar te Krasta albumin e tyre të parë me titull “Sa pak mjafton”, që do ta pasojnë me një promovim mes miqsh të dielën në mbrëmje.

Adi e nisi intervistën me djemtë duke shprehur simpatinë për grupet rock, ndërsa pohoi: “Mua më pëlqejnë grupet rock, që janë rock i mirëfilltë, se grupet rock që janë kot nuk më tërheqin vëmendjen. Dhe ju dukeni që jeni vërtet grup rock”, theksoi ai. Në intervistën për disa minuta që u bëri djemve për karrierën e tyre në këto pesë vite, ai i pyeti për terrenin e kësaj muzike në Shqipëri dhe sa shpresë kanë që të ndiqen në publik. Djemtë pohuan se ndihen mirë si rockerë në Shqipëri, përderisa këndojnë fundjavave në club-et e Tiranës. Ata veçuan si një nga këngët e tyre të preferuara të albumit atë me titull “Si ti askush”, me të cilën për herë të parë u klasifikuan në finalen e Festivalit të 51-të të Këngës në RTSH, festival që shpalli fitues Bledar Sejkon dhe Adrian Lulgjurajn, po ashtu me një këngë rock të titulluar “Identitet”.

Në këtë moment të intervistës, Adi gjeti rastin të shprehë qëndrimin personal për këngën përfaqësuese të Shqipërisë në “Eurovizion”, që nuk mundi dot të prekte finalen. “Me këtë që ndodhi në Festivalin Europian u çudita shumë se si nuk ju çuan ju në ‘Eurovizion’, do ishte mirë për Shqipërinë, pasi isha i bindur që nuk do të ishit skualifikuar. Kënga juaj me këtë melodicitet dhe vërtetësi jam i bindur që vlen”, tha Krasta. Bledar Sejko deh Adrian Lulgjuraj përfaqësuan Shqipërinë me një këngë rock, që ishte e vetmja e kësaj rryme në këtë edicion të “Eurosong”-ut. Pasi kënga nuk u klasifikua në finale, fansat fajësuan pikërisht rrymën rock, e cila me kalimin e viteve i ka shumë të paktë adhuruesit e saj. Vetë këngëtarët kanë pohuar në intervista të ndryshme se ata dhanë maksimumin, por votimi gjeopolitik nuk ua dha mundësinë për të prekur finalen.

Gjithsesi, në një intervistë për “Panorama Plus”, para udhëtimit në Suedi, Adrian Lulgjuraj parashikoi fitoren e Danimarkës, që përfaqësohej nga Emmelie de Forest, këngëtarja që fitoi kupën e këtij edicioni me këngën e saj “Only teardrops” (Vetëm lot).

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›