E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia, 75 familje të varfra rrezikojnë shtëpitë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Përfituan banesa sociale, por rrezikojnë t'i humbasin ato pasi nuk janë në gjendje të paguajnë kredinë, ndonëse në interesa të limituara. Janë rreth 75 familje në lagjen 13 të Korçës që nuk e kanë paguar në mënyrë të rregullt kredinë.  Ato janë strehuar në dy pallate të ndërtuara nga bashkia, të cilat u ndanë për familjet më në nevojë në qershor të vitit 2006. Të gjithë e kanë paguar këstin e parë të apartamenteve, dhe një pjesë e mirë filloi të paguante edhe këstet e para të kredisë, por më pas për shkak të vështirësive ekonomike nuk janë më në gjendje të paguajnë. Përballë kësaj situate, tashmë banorëve u duhet ose të lirojnë hyrjet e tyre, ose të paguajnë qiranë e banimit në bashkinë e qytetit. Për këtë shkak, familjet e dy pallateve organizuan dje një protestë. Ata kërkuan që të ulet pagesa e kredisë për çdo muaj, mbasi është shumë e lartë. "Jetoj me 12 frymë në dy dhoma e kuzhinë. Më duhet të paguaj 9 mijë lekë në muaj. Asnjë nga ne nuk punon. E mbajmë frymën gjallë duke mbledhur kanaçe dhe hekurishte në gjithë qytetin. Nuk mund ta paguajmë kredinë, pasi s'kemi asnjë të ardhur. Edhe vajza që punonte në një rrobaqepësi e pushuan se falimentoi. Qeveria të vërë dorën në zemër dhe të na e ulë masën e kredisë sipas ligjit të vjetër", u shpreh Kimete Rushani, 48 vjeçe, nënë me 12 fëmijë, mes të cilëve edhe një vajzë e kthyer nga burri me pesë fëmijë. Banorët kanë trokitur edhe në zyrën e Entit të Banesave, por nuk kanë mundur të zgjidhin hallin e tyre. Janë 80 familje që në qershor të 2006-ës morën me vendim të këshillit bashkiak strehim. Ndër to, 16 familje morën dy dhoma e një kuzhinë, ndërsa 64 të tjera nga një dhomë e kuzhinë. Por dokumentet e privatizimit u kryen një vit më vonë, çka bëri që kredia e apartamenteve të llogaritet sipas ligjit të ri që doli në 2007-ën. Për rrjedhojë, përqindja është e lartë dhe vitet e shlyerjes së saj e shkurtër. Çdonjërës prej këtyre familjeve iu takon të paguajnë nga 9 mijë deri në 12 mijë lekë në muaj. Ndër 700 banorët e këtyre dy pallateve numërohen me gishtat e dorës ata që janë në punë. Familjet që kanë paguar rregullisht kredinë janë vetëm 6, çka dëshmon se në çfarë gjendje ekonomike janë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›