E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja masakron pronarin e kompleksit

 

KAVAJE OERD ULQINI/ ETLEVA DELIA

Një ekzekutim barbar me 18 goditje thike në gjoks i ka marrë jetën (Ali) Pajtim Selmani, pronar i një kompleksi turistik në fshatin Qerret të Kavajës. Vrasësi është Halil Buletini 45 vjeç, person që viktima e kishte punësuar si roje prej rreth 8 vjetësh. Pas krimit, autori, i njohur si person me shqetësime mendore, ka pohuar se: E vrava se nuk kisha pirë ilaçet. Ndërsa më vonë, se pronari i kishte bërtitur pak orë para dhe ai e kishte pritur për ta vrarë.
Sulmi me thikë është konsumuar në terrin e natës brenda pak sekondave, në orën 01:30 të mëngjesit. Ka qenë e kotë përpjekja për të dërguar në spital pronarin 60-vjeçar, pasi ai ka ndërruar jetë gjatë transportit nga humbja e madhe e gjakut. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë bërë të mundur arrestimin e autorit vetëm 15 minuta pas kryerjes së krimit, ndërsa kanë nisur hetimet intensive për zbardhjen e plotë të saj. I arrestuari ishte roja personale e vilës së viktimës, ndërkohë që gjatë shërbimit të tij mbikëqyrte edhe pjesë të tjera të kompleksit turistik si kalçetoja, lulishtja, çadrat etj. Dyshimet e para bien mbi momentin e trazuar psikik të rojes, i cili edhe më parë, duket se kishte shfaqur shenja çekuilibri mendor. Por pavarësisht këtij fakti, Pajtim Selmanaj, i njohur ndryshe edhe me emrin Ali, e kishte marrë prej shumë vitesh në punë, duke i siguruar edhe një pagë të kënaqshme, si në dimër ashtu edhe në verë. Vrasja ka ndodhur në mënyrë të pashpjegueshme dhe në bazë të dëshmive, pasi ka përfunduar një lojë bilardo agresori i armatosur me një thikë kuzhine e ka qëlluar pa paralajmërim punëdhënësin e tij. Në ato momente të vona, 60-vjeçari Pajtim Selmani ka qenë duke darkuar me disa nga shokët e tij, ndërsa është thërritur befas nga roja Halit Buletini. Të gjithë e kanë neglizhuar situatën, duke menduar se kishin të bënin me një raportim normal që roja bën tek eprori. Por sapo pronari ka dalë nga lokali për të folur me Buletinin, në 10 sekonda është konsumuar tragjedia. Ai është masakruar me thikë duke marrë 18 plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Për shkak se ngjarja ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër dhe në një mënyrë krejt të befasishme, Selmanaj nuk ka mundur të mbrohet, por ka rënë i gjakosur përtokë pa ndjenja. Sapo kanë dëgjuar të bërtiturat e viktimës, kanë shkuar pushuesit dhe miqtë që darkonin, por skena që iu shfaq para syve ishte e tmerrshme. Pronari ishte i mbytur në një pellg të madh gjaku. Goditjet vdekjeprurëse me thikë Pajtim Selmani i mori te kalçetoja, vetëm pak metra larg restorantit ku po darkonte. Mësohet se Selmanaj, person në cilësinë e bashkëpronarit të kompleksit turistik, ishte nga Tirana, ndërsa agresori i tij banor i fshatit Qerret.
Me urgjencë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Kavajës dhe Durrësit, duke e prangosur autorin jo shumë larg vendngjarjes. Ai është marrë në pyetje nga policia, por nuk ka dhënë asnjë motiv që të justifikonte krimin. “E vrava se nuk kisha pirë ilaçet”. Vetëm kaq ka thënë ai në momentet e para. Për shkak të gjendjes së tij jo të qetë, më vonë është rimarrë në pyetje, ku ka treguar se pronari i kishte bërtitur mbrëmjen e së martës. “E prita deri vonë dhe e qëllova”, ka deklaruar ai. Policia konfirmoi vetëm faktin se ngjarja kishte ndodhur për motive të dobëta, duke formuluar akuzën e “vrasjes me paramendim”. Pritet që hetimet e mëtejshme të saktësojnë rrethanat e krimit ndaj 60-vjeçarit dhe nëse krimi erdhi nga sëmundja e tij apo motive të tjera, ende të pazbardhura.

Dëshmitari: Thikën e kishte fshehur nën rroba
Agresioni tragjik ka pasur një dëshmitar kyç, i cili ka parë nga afër të gjithë skenën, pa mundur dot të reagojë në mbrojtje të viktimës. Olgert Demo është kamerieri i lokalit ngjitur. Ai në atë orë të vonë është gjendur vetëm pak metra larg vendit të krimit, ku ka mbetur tërësisht i shokuar. Sipas dëshmitarit Olgert Demo, sulmi me thikë është kryer me një shpejtësi të rrufeshme duke i kapur të gjithë në befasi. Demo deklaron për “Panorama” se asnjëherë nuk kishte ndodhur sherr mes rojes dhe pronarit. “Viktima është thërritur nga 45-vjeçari, ku i ka kërkuar të dalë jashtë, ndërsa ai sapo ka dalë roja ka nisur ta qëllojë me një thikë, të cilën e kishte fshehur poshtë rrobave. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave, ku asnjëri prej nesh nuk mundi të vinte nën kontroll situatën apo të parandalonte masakrën e ndodhur”, tregon dëshmitari. Edhe ai konfirmon se roja Halil Buletini ishte person me çrregullime mendore dhe se kurohej me ilaçe për një sëmundje psikike.

Halil Buletini
Autori njihej për agresivitet

Bashkëfshatarët e tij në fshatin Qerret të Kavajës e njihnin Halil Buletinin si person që kurohej nga mjekët psikiatër. Afro një vit më parë duket se Halil Buletini kishte shfaqur publikisht shenjat e para të agresivitetit, duke u konfliktuar pa asnjë shkas me grushte me një klient. Në atë kohë, pronari kishte vënë dorën në zemër, duke e mbajtur përsëri në punë, me idenë se ai ishte një person hallexhi. Atëherë ngjarja u mbyll pa komplikime. Ndërkohë dëshmitarët pohuan se agresori paguhej shumë rregullisht nga viktima, madje merrte edhe një shumë të konsiderueshme për një sektor të rëndomtë si roje plazhi. Buletini është baba i dy fëmijëve.

Djali i Selmanit: Do ta hiqnim, por na u lut se ishte hallexhi
TIRANE - Në katin e pestë të një pallati pranë Liqenit Artificial, në shtëpinë e biznesmenit Pajtim Selmani, hyjnë e dalin njerëz me të zeza. Dhimbja e familjarëve është e papërshkrueshme, jo vetëm se humbën njeriun e dashur, por edhe nga mënyra se si vdiq, i masakruar nga 18 thika. Djali i Pajtim Selmanit ka qenë duke pirë kafe me miqtë e tij në momentin që e kanë njoftuar se i ati kishte ndërruar jetë. Fillimisht ka menduar se i ati ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore, pasi vuante nga zemra dhe dy herë të tjera kishte kaluar infarkt. “E kam marrë vesh të vërtetën e ngjarjes vetëm kur shkova në spital, atje më thanë se çfarë i kishte ndodhur babait tim”, është shprehur djali i Selmanit. Sipas tij, asnjërit prej pjesëtarëve të familjes, nuk ua kishte marrë mendja se roja i objekteve në pronësi të tyre do të arrinte deri aty sa të vriste pronarin. Edhe pse e dinin prej kohësh që i punësuari i tyre, Halit Buletini, vuante nga çrregullime mendore, kishin krijuar një farë besimi duke qenë se ai punonte aty prej gati 8 vitesh dhe për më tepër që nuk kishin pasur asnjë lloj konflikti me të. “Ne e dinim të gjithë, edhe babai e dinte se Haliti vuante nga sëmundje mendore, por ishim familjarizuar me të. Ai kishte familje, kishte gruan dhe dy fëmijë dhe ishte në kushte të vështira ekonomike, prandaj i duhej një punë dhe disa të ardhura”, tregon djali i të ndjerit. Më pas ai ka treguar se disa vite më parë kishin dashur ta hiqnin nga puna, për shkak të sëmundjes së tij, duke qenë se duhej një punëtor më i aftë, por ai u ishte lutur që ta mbanin në punë, pasi kishte nevojë për para. Pas këtij momenti ata nuk kishin pasur asnjë konflikt me njëri-tjetrin, madje përveç rrogës, familja Selmani i jepte edhe para xhepi herë pas herë Buletinit, që të mbante familjen. Edhe pse janë të shokuar nga e gjitha kjo ngjarje, familjarët e Selmanit arrijnë të marrin parasysh faktin se autori ishte i sëmurë, ndërkohë që mohojnë kategorikisht që të kenë pasur konflikte mes tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›