E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashamir Shehi: Puna e parë, ndërtimi i institucioneve

 

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dasha-mir Shehi, tha dje gjatë një takimi me intelektualët në Elbasan se detyra e parë pas 28 qershorit për Polin e Lirisë do të jetë pikërisht ndërtimi i shtetit dhe institucioneve të tij. Gjatë këtij takimi, kreu i LZHK-së theksoi se “puna e parë që duhet të bëjmë është të ndërtojmë institucionet e shtetit, që gjykata të jetë gjykatë, që polici të jetë polic dhe drejtësia të jetë drejtësi. Kjo sepse nuk kemi instrument tjetër përveç shtetit që të zgjidhë problemet tona. Nëse merret një vendim nga gjykata dhe përmbarimi nuk e zbaton ne nuk mund t’i zgjidhim punët tona”. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, i cili në 28 qershor do të kandidojë në Tiranë, u ndal në të njëjtën kohë edhe në çështjen e pronave. “Ne për pronat kemi marrë angazhimet tona dhe shumica e zgjidhjeve janë plotësisht e sigurt nga ana teknike, të mundshme. Ju bëj thirrje ta gjykoni situatën nga një realizëm konkret, nëse këtu njerëzit janë të lumtur janë të qetë shkojnë në një zyrë shteti e marrin letrën që ju duhet, që mund të jetë e pronës apo e hipotekës pa paguar ryshfet, atëherë këta që janë sot në qeveri janë burra të mirë dhe ne lodhemi kot. Por nëse ju detyroheni të jepni ryshfet për të realizuar të drejtën tuaj ne jemi në rrezik. Ju duhet të na votoni se ne jemi një porte e hapur dhe kemi shansin për t’i ndryshuar gjerat”. Sipas tij “idealizmi ka rënë se ministrat kalojnë lehtësisht nga krahu i majtë në të djathtë, madje e quajnë për nder dhe justifikohen se po japin një kontribut për Shqipërinë, demokracinë, stabilitetin. Grupe të caktuara deputetësh që më parë kanë kandiduar nga e majta tani janë rreshtuar nga djathta dhe nuk shqetësohet askush për këtë bllok që gravitojnë përqark pushtetit dhe interesit dhe jo përqark ideve e programeve të partive”. Duke u ndalur pikërisht te kalimi i deputetëve dhe ministrave nga njëri krah në tjetrin, Dashamir Shehi kritikoi edhe mënyrën se si dy forcat historike të djathta PLL-ja dhe PBK-ja iu bashkuan koalicionit të PD-së. “Ndër këto edhe Partia e Ballit dhe Legalitetit që kënaqen me thërrimet që mbeten nga pushtetit. Njeri që u bë zëvendësministër dy javët e fundit dhe një tjetër shef komisariati. Këtu na ka katandisur e djathta ndaj ne kemi një shans që nuk është i fundit, që kjo lëvizje të marrë frymë. Me votën tuaj na jepni shansin të vëmë në zbatim programin tonë”, përfundoi Shehi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›