E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia, BSH: Rregulla strike për llogaritjen e interesit

Kredia e keqe detyron BSH të përcaktojë rregulla strike për bankat e nivelit të dytë

BSH: Reklamat nga bankat të mos japin informacion të rremë për klientët

Interesat e kredive dhe të depozitave do të nxirren në bazë të së njëjtës mënyrë llogaritjeje nga ana e bankave të nivelit të dytë. Aktualisht bankat e nivelit të dytë llogarisin interesat në bazë të një formule që asnjëhere nuk bëhet transparente për klientët. Thjesht mjaftohen me një deklarim të këstit mujor dhe të detyrimeve të tjera që kanë klientët.

Njëkohësisht bankat janë të detyruara që të publikojnë interesat në mënyrë transparente dhe t’i bëjnë të ditur klientëve në çdo rast 30 ditë përpara për ndryshimin e interesit, nëse një vendim i tillë merret nga ana e institucionit financiar. Një pikë e rëndësishme në këtë rregullore të re për kredinë janë edhe format e marketingut të cilat përdorin bankat e nivelit të dytë për të tërhequr sa më shumë klientë në marrjen e një kredie. Banka e Shqipërisë i ka vendosur rregulla strikte bankave të nivelit të dytë për marketingun që ato përdorin. Nëse banka përdor interesa thjesht promocionale të cilat devijojnë nga interesi real i një kredie atëherë, mbi institucionin financiar merren masa administrative.

Kushtet e kontratës

Të gjithë klientët e bankave në rastin e marrjes së kredisë duhet që të njihen edhe me një dokument mbi bazën e të cilit përcaktohen qartë kushtet në të cilat mund të ndryshojë kontrata. Këto kushte janë esenciale për eliminimin e abuzimit që institucioni financiar mund të zbatojë në kurriz të klientëve të tij. Në këto kushte financiare përcakton mënyrat se si do veprohet në rastet e një pagese të parakohshme të kredisë nga ana e klientit, shuma e faljes së detyrimeve etj. Për pjesën dërrmuese të kredive të dhëna deri tani nga ana e sistemit bankar klientët nuk janë të njohur me procedurën që ndiqet në rast të ndryshimit të kontratës. Për këtë qëllim kjo rregullore nga ana e BSH-së vlerësohet si një akt i rëndësishëm për marrëdhëniet e palëve në biznesin bankar.

Bankat kërkojnë zgjidhje për kolateralin

Drejtuesit e bankave të nivelit të dytë bëjnë të ditur se një problem tjetër serioz në procesin e likuidimit të kredive të pakthyera mbetet edhe nxjerrja në shitje e pasurive të lëna si kolateral. Këto procedura, sipas të dhënave të këtyre institucioneve vazhdojnë që të zënë një kohë të gjatë, që shkon në disa muaj. Duke i shtuar kësaj periudhe edhe rezultatin e ankandit dhe vonesat e tjera të lidhura me të, shitja e një prone të lënë si garanci pasurore shkon deri në vite kohë. Gjithnjë e më shumë, kompani dhe individë deklarojnë se nuk mund të shlyejnë më këstin mujor të kredisë, si pasojë e vështirësive ekonomike të shkaktuar nga rritja e taksave dhe rritja e çmimeve. Kjo është hera e parë pas pastrimit të sistemit bankar nga kreditë e këqija të akumuluara gjatë periudhës ’92-‘98, që kredia me probleme kapërcen nivelin prej 10% të totalit të kredive. Por kredia e keqe aktualisht mbetet në nivelin 4.31 përqind, një nivel ky ende i ulët sipas specialistëve bankarë. Por ndryshimi i shpejtë e kredive të këqia dhe mosha e re e tyre bën që rreziku të jetë prezent. Specialistë të financave bëjnë të ditur se sistemi bankar shqiptar mund të durojë një nivel të kredive të këqia nga 8 deri në 10 për qind. Nëse ky tregues arrin në këto nivele, atehërë banka të veçanta mund të shkojnë drejt falimentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›