E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS cakton kryetarët e shtabeve rajonale

Socialistët përcaktojnë strategjinë e organizimit rajonal për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Afrimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ka vënë në lëvizje Partinë Socialiste për organizimin elektoral të të gjitha strukturave të saj nga qendra deri në bazë. Përveç ngritjes së Shtabit Qëndror dhe nente grupeve të organizimit elektoral në nivel qendror, selia rozë ka përcaktuar edhe stradegjinë e saj organizative elektorale edhe në rang lokal. Puna organizative në nivel lokal do të ndahet në disa hallka që i përshtaten edhe organizimit politik të partisë, duke filluar nga rajoni ose qarku, rrethi, bashkia dhe komuna.

Organizimi rajonal

Sekretariati për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste ka përgatitur të gjithë materialin organizativ të partisë për fushatën e ardhshme zgjedhore, material i cili pret të miratohet në ditët në vijim nga kryesia e partisë dhe më pas nga Asambleja Kombëtare. Sipas këtij materiali për organizimin rajonal të partisë është parashikuar fillimisht delegimi i anëtarëve të kryesisë në 12 qarqet e vendit që me shumë gjasa pritet të jenë dhe 12 zonat e ardhshme zgjedhore, të cilët do të jenë të ngarkuar me Drejtimin e Organizimit Elektoral në qark e rreth. Më konkretisht në qarkun e Beratit i deleguar do të jetë Erjon Braçe, në Durrës Namik Dokle, në Dibër Pandeli Majko, në Elbasan Valentina Leskaj, në Fier Ermelinda Meksi, në Gjirokastër Gramoz Ruçi, në Korçë Ben Blushi, në Kukës Mimi Kodheli, në Lezhë Lindita Nikolla, në Tiranë Shpëtim Idrizi, në Shkodër Mimoza Hafizi dhe në qarkun e Vlorës Arben Isaraj. Të deleguarit e kryesisë do të jenë përgjegjësit kryesorë për mbarëvajtjen e fushatës dhe rezultatet që do të arrihen nga Partia Socialiste në rajonin respektiv. Për këtë arësye atyre u është lënë detyra për organizimin e gjithë strukturës elektorale të partisë në rang qarku apo rajoni, që është shtabi në nivel qarku të cilin dhe do ta drejtojnë. Përveç anëtarit të kryesisë i cili do të jetë dhe kryetar, në shtabin në rang rrethi do të bëjnë pjesë dhe sekretari rajonal i PS-së, anëtarët e Këshillit Socialist të Rrethit, kryetarët socialistë të njësive vendore, kryekoordinatori i komunikimit me kryetarët e PS të bashkive dhe komunave, koordinatori i organizimit elektoral të Organizatës Socialiste, koordinatori për Bordet e dialogut qytetar, koordinatori për organizimin e vullnetarëve, koordinatori për komunikimin mediatik, koordinatori për Organizmin e Personave me Eksperiencë Drejtimi dhe koordinatori i veteranëve.

Detyrat e shtabit

Shabi rajonal do të ketë si detyrë parësore organizimin elektoral të partisë në qarkun ose rrethin përkatës. Ai do të drejtojë dhe koordinojë veprimtarinë e organizimit elektoral në nivel rrethi dhe harton hartën elektorale të rrethit, duke përcaktuar komunitetet kryesore në rreth. Gjithashtu në funksion të një organizimi më të mirë zgjedhor shtabi analizon situatën e partisë në nivel rrethi, bashkie e komune dhe merr masa për përmirësimin e gjëndjes dhe plotësimin e strukturave drejtuese të partisë me kapacitetet e duhura njerëzore dhe materiale. Në funksion të këtij qëllimi propozon eventualisht për vendimarrje të forumeve më të larta partiake masa përmirësuese dhe përcakton zonat problematike dhe masat që duhen marrë për kapërcimin e situatës. Gjithashtu shtabi rajonal ndjek dhe koordinon zbatimin e të gjithë detyrave që ngarkohen nga Shtabi qëndror për rrethin përkatës si dhe do të ndjekë aktivitetin e Bordeve të Dialogut Qytetar në bashkitë e rrethit, aktivitetin e Grupeve për Organizimin e Vullnetarëve në bashki/komunë e OS, aktivitetin e Grupeve të Komunikimit Mediatik në bashki/komunë e Organizatë Socialiste. Një detyrë tjetër e shtabit është ngritja dhe koordinimi i aktivitetit të grupeve për Organizmin e Personave me Eksperiencë Drejtimi dhe veteranëve.

Të deleguarit e kryesisë në qarqe

Qarku Berat Erjon Braçe

Qarku Durrës Namik Dokle

Qarku Dibër Pandeli Majko

Qarku Elbasan Valentina Leskaj

Qarku Fier Ermelinda Meksi

Qarku Gjirokastër Gramoz Ruçi

Qarku Korçe Ben Blushi

Qarku Kukës Mimi Kodheli

Qarku Lezhë Lindita Nikolla

Qarku Tiranë Shpëtim Idrizi

Qarku Shkodër Mimoza Hafizi

Qarku Vlorë Arben Isaraj

Përbërja e shtabit në nivel rrethi

Kryetar:

Anëtari i deleguar i Kryesisë së PS-së

Anëtar:

Sekretari rajonal i PS-së

Këshilli Socialist i Rrethit

Kryetarët socialistë të njësive vendore

Kryekoordinatori i komunikimit me kryetarët e PS të bashki/komunave

Koordinator i organizimit elektoral të OS

Koordinator për Bordet e dialogut qytetar

Koordinator per organizimin e vullnetarëve

Koordinatori per komunikimin mediatik

Koordinatori për Organizmin e Personave me Eksperiencë Drejtimi

Koordinatori i veteranëve

Socialistët, sistem patronazhi për zgjedhësit

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të angazhojnë Partinë Socialiste në një sfidë totale organizimi elektoral. Por përveç orgnaizimit strukturor, PS do të ngarkojë të gjithë anëtarët e saj me detyra të qarta për të bërë të mundur maksimalizimin e rezultatit elektoral. Kështu, një nga të rejat e kësaj sfide do të jetë dhe aktivizimi i gjithë anëtarësisë së partisë për të bindur elektoratin që të votojë për PS-në. Për këtë qëllim selia rozë ka vendosur që të ngrejë dhe një sistem patronazhi, çka nënkupton që çdo anëtar i Partisë Socialiste në çdo organizatë që mbulon një qendër votimi bëhet përgjegjës për një territor gjeografik të qendrës së votimit, pra dhe të zgjedhësve që i përkasin këtij territori. Në këtë mënyrë përgjegjësi ka për detyrë të realizojë identifikimin e mënyrës se si zgjedhësit e qëndrës së tij zgjedhore votojnë dhe të punojë me mbështetësit për t’i bërë pjesë aktive të fushatës së PS. Gjithashtu një detyrë tjetër është edhe puna me të lëkundurit dhe abstenuesit për t’i bindur që të votojnë për Partinë Socialiste dhe ditën e zgjedhjeve të “nxjerrë nga shtëpia” për të votuar ata zgjedhës që janë të sigurtë se votojnë për Partinë Socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›