Disa banka me humbje nga kriza botërore
Sipas ekspertëve, kriza ndërkombëtare e likuiditetit po nxit bankat shqiptare të ofrojnë interesa më të larta për depozitat
Megjithatë, pasojat nuk janë të konsiderueshme për vendin tonë për shkak të normës së ulët të kreditimit
Bankat shqiptare kanë hasur kosto shtesë për fondet e veta si pasojë e krizës financiare botërore, - bëhet e ditur nga bankieri Seyhan Pencapligil, drejtor i Bankës Kombëtare Tregtare, intervistuar nga Euromoney. Në një forum mes bankierëve më të rëndësishëm të Europës Qëndrore dhe Lindore, u diskutua mbi pasojat që do të ketë kriza aktuale botërore në ekonomitë e rajonit. Për Shqipërinë, bëhet e qartë se “vendi ynë është një ekonomi relativisht e mbyllur dhe se nuk ka patur ndonjë impakt të konsiderueshëm as mbi ekonominë në tërësi dhe as në sektorin bankar në veçanti”. Megjithatë, për shkak se shumica e bankave te ne janë nën pronësi të huaj, gjatë muajve të fundit, ato janë përballur me rritjen e kostos së parasë, në një kohë që normat e interesit të kredive kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara.
“Shumica e bankave mëmë në Europë ka rritur çmimet për fondet që i jep degëve të veta në Shqipëri, ndërsa këto të fundit kanë preferuar të rrisin interesat e depozitave si një burim alternativ financimi. Interesat e depozitave janë rritur në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa ato të kredive kanë mbetur stabël,”- thotëPencapligil për Euromoney. “Për pasojë, shumë banka kanë dalë me humbje gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Pavarësisht nga kjo, Shqipëria mbetet një treg likuid dhe gjerësisht i padëmtuar, për shkak se këtu vetëm gjysma e depozitave shkojnë për kredi”.
Probleme të shumëfishta
Tregu bankar në Shqipëri rezultoi me fitime të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar. Fitimet e sistemit arritën në një nivel rekord të ardhurash prej 10.5 miliardë lekësh (83 milionë euro ose 131 milionë dollarë). Fitimet e bankave u rritën me 47% gjatë vitit të kaluar. Por situata duket se nuk është e njëjtë këtë vit. Kreditë e këqija po prodhojnë humbje të konsiderueshme, të cilat, ndonëse nuk përbëjnë rrezik për stabilitetin e bankave, gjithsesi rrezikojnë fitimet. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë e këqija po rriten me shpejtësi. Në dhjetor të vitit të kaluar, qenë 80 milionë euro. Në qershor të këtij viti, kredia me probleme arriti në rreth 130 milionë euro. Vetëm gjatë tremujorit të dytë u shënua rritja e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me rreth 2.7 miliardë lekë ose me 21.6 për qind, nga 2.5 miliardë lekë ose 25.2 për qind për tremujorin e mëparshëm.
Rifillojnë negociatat për planin e shpëtimit
Investitorët në të katër anët e botës mbajtën frymën dje, kur u mësua lajmi se bisedimet për planin e shpëtimit prej 700 miliardë dollarësh, rifilluan mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. Vlera e aksioneve ra në Azi dhe Europë, por pësoi rritje spekulative në SHBA në orët e fundit të tregtimit të premten. Tregjet e parasë qenë jashtëzakonisht të tendosura dhe burimet e parasë së nevojshme për financimin e aktivitetit normal qenë gati të thara.
Të premten në mbrëmje, Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, tha se bisedimet kanë rifilluar, pasi qenë ndërprerë të enjten si pasojë e kundërshtimit të planit të Presidentit Bush nga kongresmenë të partisë së tij. Kundërshtimi më i ashpër erdhi nga republikanët e Kongresit të udhëhequr nga Eric Cantor i Virxhinias, i cili deklaroi: “Ne nuk kemi 700 miliardë dollarë për t'i hedhur”. Bankat paralajmëruan se pasojat mund të jenë katastrofike në rast se plani nuk miratohet. “Më duket sikur jemi 15 minuta para fundit të botës”, deklaroi një superbankier anglez për “Financial Times”.
Bankat dhe institucionet e tjera financiare gjenden në mungesë likuiditeti dhe mund të fillojnë të falimentojnë njëra pas tjetrës, pasi nuk kanë mjete për të kryer aktivitetin e zakonshëm. Shumë qytetarë amerikanë po kundërshtojnë planin e Presidentit Bush për të blerë me fonde të qeverisë të gjitha asetet që konsiderohen të këqija, hap që do të furnizojë tregjet me 700 miliardë dollarë para të reja të grumbulluara nga qeveria amerikane përmes emetimit të titujve të borxhit. Kongresmenët mendojnë se është e pallogjikshme që paratë e taksapaguesve t'u jepen me ligj institucioneve financiare, pasi qytetarët nuk mund të paguajnë papërgjegjshmërinë e menaxherëve. Por Shtëpia e Bardhë beson se mosndërhyrja do të shkaktojë një zinxhir krizash që do të nxjerrë miliona amerikanë të papunë. Pasojat e këtij reaksioni do të pasqyrohen shpejt në të katër anët e botës, duke bërë që njerëzimi të përjetojë një krizë të ngjashme me atë të vitit 1929. Kriza e atëhershme zgjati katër vjet dhe zhyti në varfëri miliona njerëz në emisferën perëndimore. Vendet më të tronditura aktualisht nga kriza financiare janë SHBA-të dhe Britania e Madhe.