E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët Basha e Rama shtyjnë takimet

05/04/2011  Incidenti ndaj Kajës

Rama akuza ndaj LSI-së

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi Lëvizjen Socialiste për Integrim si përgjegjëse për atentatin ndaj kreut të Inspektoratit të Ndërtimit Ardit Kaja. Kështu, pas vizitës së bërë në Spitalin Ushtarak, ku Kaja u shtrua me urgjencë, Rama u shpreh se Kaja u plagos në përballje me dhunën teksa kryente detyrën. “Është qëlluar në mes të Tiranës një shërbëtor i shtetit, i cili në zbatim të ligjit është përballur me dhunën e asaj force politike që me paratë e vjedhura, që gjithë Shqipëria i pa, ka dhunuar dhe ka mbrojtur qytetin tonë.” Në këtë mënyrë, kreu socialist përmes kësaj deklarate e adresoi përgjegjësinë për një incident të tillë te LSI-ja. Kjo nisur nga fakti se dy ditë më parë në njësinë bashkiake nr. 5, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, policia bashkiake tentoi të hiqte flamujt e kësaj force politike, veprim i cili është kundërshtuar nga simpatizantë të LSI-së. Në heqjen e flamujve të LSI-së nga shtyllat elektrike buzë rrugës ka marrë pjesë edhe kreu i Inspektoratit të Ndërtimit Ardit Kaja. Nisur nga kjo ngjarje, Rama vlerësoi se “forca politike që me para të vjedhura ka varur postera dhe flamuj elektoralë, po ndot qytetin duke varur nëpër pemë, shtylla e ndërtesa, që janë objekte të pasurive të përbashkëta të qytetarit. Po ata nuk ngjitin më asnjë poster, do të heqim gjithë flamurët elektoralë, sepse Tiranën e duam të pastër dhe Shqipërinë e duam të pastër”.

Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit

Homazhe në nderim të udhëheqësit të komunitetit bektashian

Partitë politike kanë stopuar dje takimet elektorale për të respektuar ditën e zisë kombëtare për humbjen e udhëheqësit të komunitetit të bektashinjve Baba Dede Reshat Bardhi. Në respektim të kësaj figure të dy kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha dhe Edi Rama, shtynë zhvillimin e takimeve në njësi të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë që të dy këta kandidatë në vizita të veçanta u shprehën ngushëllimet familjarëve, miqve dhe besimtarëve bektashinj, për humbjen e njeriut dhe udhëheqësit të tyre të dashur Baba Dede Reshat Bardhi. Në njoftimin e vënë në dispozicion për medien, zyra e shtypit pranë shtabit elektoral të kandidatit Basha kishte veçuar si një moment të rëndësishëm pikërisht vlerësim e këtij të fundit për personalitetin e kreut të komunitetit bektashian në vend për veprën e tij dhe për anën e tij njerëzore. Kështu në njoftim bëhet e ditur se Lulzim Basha iu gjend afër Baba Reshat Bardhit në çastet e tij të vështira shëndetësore teksa kurohej për masën tumorale që kishte në pankreas. Gjatë ditës së djeshme Basha mori pjesë në ditën e ngushëllimit dhe dha mesazhin e tij për të afërmit dhe besimtarët bektashinj. “Sot qindra e mijëra njerëz rikthehen te ky njeri, te ky gjigand i durimit, i mençurisë, i forcës dhe i shërbimit për t’i shprehur mirënjohjen për veprën e tij të pavdekshme në shërbim të njerëzve, në shërbim të bektashizmit, në shërbim të kombit dhe në shërbim të Zotit. Zotit të madh, të cilit sot i lutemi t’i japë paqen e amshuar dhe ta marrë pranë vetes së tij, ashtu sikundër i shërbeu gjithë jetës”, - u shpreh Basha, duke shtuar se “është një njeri që foli me vepra dhe vepra e tij mbetet e pavdekshme mes nesh. Është detyra jonë, jo vetëm e besimtarëve bektashinj, por e çdo shqiptari ta çojnë përpara, të përfundojnë amanetin e tij, të vazhdojnë me veprën e tij dhe gjithçka që ajo nënkupton për hir të njerëzve të thjeshtë, për besimin te Zoti dhe për përparimin e shoqërisë tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›